Vlenizmi i Hiseve të Kazinove (Pjesa VII) – ASH: Projektligj pa asnjë mbrojtje për minorenët, por vetëm për oligarkët e bixhozit

Vlenizmi i Hiseve të Kazinove (Pjesa VII) – ASH: Projektligj pa asnjë mbrojtje për minorenët, por vetëm për oligarkët e bixhozit

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një komunikate për media ka shprehur shqetësim të thellë për draftligjin e ri për lojërat e fatit online, i cili po përgatitet në mënyrë të njëanshme nga Ministria e Financave nën drejtimin e qeverisë së VMRO-DPMNE-së, jashtë dijenisë së grupimit VLEN, pa transparencë dhe pa përfshirjen e përfaqësuesve të komuniteteve më të prekura nga fenomeni i varësisë ndaj bixhozit, përfshirë komunitetin shqiptar.

Më poshtë e gjeni komunikatën e plotë të ASH – Taravari:

VLEN duket se është pajtuar në heshtje me versionin e ligjit të përgatitur nga VMRO-DPMNE, me kushtin e vetëm që të sigurojë hisen e vet në këtë industri fitimprurëse që po zhvillohet në kurriz të qytetarëve. Në vend se të mbrojë interesin publik dhe të kundërshtojë zgjerimin e bixhozit online, VLEN po tregohet e gatshme të bëhet pjesë e një skeme që thellon varfërinë, të rrit varësinë ndaj lojërave të fatit dhe shkatërron strukturën sociale të familjeve shqiptare.

Drafti i propozuar, në vend që të fokusohet në mbrojtjen e të miturve, parandalimin e varësisë dhe garantimin e sigurisë sociale, krijon infrastrukturë ligjore për shtrirjen e mëtejshme të industrisë së bixhozit online në vend. Mungesa e masave të qarta për identifikimin dhe përjashtimin e të miturve, mungesa e një sistemi për vetëpërjashtim, si dhe reklamat e pakontrolluara në hapësirat digjitale, dëshmojnë për një qasje që nuk synon mbrojtjen e qytetarit, por përfitimin financiar të industrisë.

Për më tepër, në këtë proces nuk është përfshirë asnjë përfaqësues i Aleancës për Shqiptarët dhe as ndonjë organ apo organizatë që merret me shëndetin mendor, edukimin, mbrojtjen e fëmijëve apo parandalimin e varësive. Një ligj i tillë nuk mund të hartohet në fshehtësi dhe pa debat publik, ndërkohë që pasojat do të bien drejtpërdrejt mbi familjet tona dhe mbi rininë shqiptare.

Aleanca për Shqiptarët konsideron se projektligji në fjalë është i dëmshëm dhe kërkon vendosjen e një regjistri kombëtar të vetëpërjashtimit, për të ndihmuar ata që vuajnë nga varësia ndaj bixhozit, ndalimin e plotë të reklamimit të lojërave të fatit online gjatë gjithë ditës në televizion, radio dhe internet, verifikim të fortë elektronik për të miturit, përmes identifikimit dixhital të detyrueshëm për çdo përdorues, dhe mbi të gjitha, përfshirjen e shoqërisë civile, ekspertëve të shëndetit mendor dhe komuniteteve fetare në rishikimin e këtij ligji.

Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë përballë një ligji që cenon drejtpërdrejt mirëqenien shoqërore dhe hap rrugë për normalizimin e bixhozit online si mënyrë jetese për të rinjtë. Bixhozi nuk është digjitalizim, dhe ligji nuk mund të bëhet për llogari të interesave të ngushta financiare në dëm të brezit të ardhshëm.

MARKETING