VLEN: Shqiptarët mbeten me SHBA-në dhe BE-në, jo me gjuhën fyese të BDI-së
Kanë kaluar 48 orë nga deklarata skandaloze e deputetit të BDI-së, me të cilën fyhen drejtpërdrejt partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, ndërsa nga BDI nuk ka as distancim, as kërkimfalje, e as sqarim. Kjo heshtje nuk është rastësi. Heshtja e BDI-së është konfirmim politik i mendësisë kundër Perëndimit.
Kur sulmohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, çdo subjekt që pretendon se është pro-perëndimor do të distancohej menjëherë.
Nëse një gjuhë e tillë fyese ndaj SHBA-së dhe BE-së vjen nga një deputet që është mjek me profesion dhe konsiderohet figurë e ngritur profesionalisht, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: çfarë mendësie mbizotëron në pjesën tjetër të strukturës së BDI-së? Çfarë mendojnë figura si Musa Xhaferi, Blerim Bexheti apo Sadulla Duraku? Dhe a është ky mllef ndaj ndërkombëtarëve rezultat i faktit se lista e funksionarëve të BDI-së që kanë përfunduar në listën e zezë Amerikane po zgjerohet vazhdimisht?
BDI po dëshmon çdo ditë se e ka humbur orientimin euro-atlantik dhe se, përballë krizës politike dhe humbjes së besimit te shqiptarët, po rrëshqet drejt një diskursi të rrezikshëm anti-perëndimor.
VLEN rithekson se shqiptarët mbeten populli më pro-amerikan dhe më pro-evropian në rajon dhe nuk do të lejojnë që askush, për shkak të panikut politik dhe humbjes së pushtetit, ta dëmtojë këtë orientim strategjik dhe historik.

