VLEN: Shkupi nikoqir i Forumit të 11-të të EUSAIR
Organizimi i Forumit të 11-të të EUSAIR dhe Takimit Ministror të Iniciativës Adriatiko-Joniane (AII) në Shkup konfirmon rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Maqedonisë së Veriut në proceset rajonale dhe evropiane, vlerësojnë nga VLEN.
Nën nikoqirllëkun e zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali, në forum morën pjesë përfaqësues të vendeve partnere, institucioneve evropiane dhe organizatave ndërkombëtare, duke riafirmuar rëndësinë strategjike të bashkëpunimit rajonal.
EUSAIR, Strategjia e Bashkimit Evropian për Rajonin Adriatiko-Jonian, konsiderohet një nga mekanizmat më të rëndësishëm për koordinim rajonal dhe afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Platforma fokusohet në zhvillimin ekonomik, ndërlidhjen infrastrukturore, transportin, turizmin, mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë rajonale.
Nga VLEN theksojnë se fakti që Shkupi është nikoqir i një ngjarjeje të këtij niveli dëshmon se Maqedonia e Veriut po ndërton kredibilitet si partner serioz, stabil dhe konstruktiv në rajon, duke forcuar pozitën e saj në proceset integruese evropiane.

