VLEN një ditë para zyrtarizimit të bashkimit: Nga pesë, bëhemi një, pa imponim
Koalicioni VLEN ka njoftuar se më 9 maj, në Ditën e Evropës, do të mbahet Kongresi i Bashkimit, ku pesë subjektet përbërëse pritet të marrin vendim për shndërrimin e koalicionit në një subjekt të vetëm politik. E në prag të kësaj dite VLEN e përshkruan këtë prices si rezultat i një periudhe bashkëpunimi politik dhe koordinimi ndërmjet partnerëve të koalicionit.
Ata shtojnë se procesi ka kërkuar “durim, besim dhe vullnet”, ndërsa bashkimi vlerësohet si hap me rëndësi politike për bllokun shqiptar në vend.
“Kur u krijua VLEN, jo të gjithë besuan se ky rrugëtim do të arrinte deri këtu. Kishte nga ata që pritën ndarje, lodhje dhe dështim. Kishte edhe të tjerë që punuan hapur që ky bashkim të mos ndodhte. Por nesër përgjigjja do të jepet para syve të të gjithëve. Më 9 Maj, në Ditën e Evropës, në Kongresin e Bashkimit, pesë subjekte politike do të marrin njërin nga vendimet më të rëndësishme brenda bllokut politik shqiptar në vend. Nga partnerë dhe aleatë politikë, VLEN bëhet një trup i vetëm. Ky nuk ka qenë vendim i lehtë. Ka kërkuar durim, besim dhe vullnet për të vendosur interesin e shqiptarëve mbi interesat e ngushta partiake. As nuk është bashkim i imponuar. Është rezultat i bindjes se shqiptarët nuk fitojnë kur politika fragmentohet, por kur energjia dhe përfaqësimi bashkohen dhe organizohen. Pikërisht për këtë arsye ky bashkim ka peshë historike. Ky është premtimi që VLEN ua dha shqiptarëve. Ky është VLEN-i, nga një ide që shumëkush e vuri në dyshim, në një bashkim që nesër bëhet fakt politik”, thonë nga VLEN.
VLEN ka bërë të ditur se në Kongresin e Bashkimit pritet të marrin pjesë rreth 850 delegatë, të cilët do të votojnë për formalizimin e bashkimit në një strukturë të vetme politike.
Ngjarja do të mbahet nesër, më 9 maj.

