VLEN: Ne do ta mbajmë më 6 maj tubimin në Tetovë, Fronti Evropian të mos shkaktojë incidente

VLEN: Ne do ta mbajmë më 6 maj tubimin në Tetovë, Fronti Evropian të mos shkaktojë incidente

Koalicioni opozitar shqiptarë VLEN, në një komunikatë për media kanë deklaruar se ata do ta mbajnë tubimin qendror më 6 maj në Sheshin Iliria, ngase kështu, sipas tyre, është caktuar më herë.
“Kjo është caktuar në formë ligjore duke bërë fillimisht kërkesë deri tek Komuna e Tetovës, e cila më datë 18 prill ka dhënë pëlqimin e saj që VLEN të mbajë tubimin e saj në sheshin e Tetovës. Këtë e dëshmojmë me dokumentin e pëlqimit të dhënë nga ana e Komunës së Tetovës. Po ashtu, sipas të gjitha normave juridike, në kohë është informuar edhe Sektori i Punëve të Brendshme në Tetovë.
Fronti i BDI-së duhet ta dijë se institucionet shtetërore nuk janë pronë private e Artan Grubit e Ali Ahmetit që ata të shfrytëzohen sipas dëshirës së tyre e për interesat e tyre personale. Por ka rregulla dhe ligje se si mund të veprohet në të. E as Tetovën nuk e kanë pronë të Babës, por Tetova është pronë e qytetarëve dhe funksionon sipas ligjeve”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
Ata thonë se njoftimet të cilat “Fronti Europian” i shpërndan nëpër rrjete sociale dhe nëpër pres konferenca janë veprim i drejtpërdrejtë i Artan Grubi në koordinim me Ali Ahmetin.
“Për çka dyshojmë se këto veprime të partisë së Ahmetit mund të kenë edhe për qëllim nxitjen dhe shkaktimin e incidenteve fizike mes qytetarëve shqiptarë. Këtë nuk do ta lejojmë dhe kërkojmë nga qytetarët që të mos bien prehë e këtyre mashtrimeve dhe provokimeve, ndërsa nga institucionet kompetente kërkojmë që të merren masa në kohë për të parandaluar çdo skenar fatkeq të planifikuar nga Artan Grubi!”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

MARKETING