VLEN-i e akuzon Blerim Bexhetin si arkitekt të pandëshkueshmërisë për krimet ndaj shqiptarëve

VLEN-i e akuzon Blerim Bexhetin si arkitekt të pandëshkueshmërisë për krimet ndaj shqiptarëve

Gjatë ditës së sotme koalicioni qeveritar shqiptar VLEN, i ka reaguar Blerim Bexhetit, koordinatorit të AKI.

Më poshtë reagimi i plotë i VLEN:

Kur sot Blerim Bexheti dhe partia e tij BDI flasin për drejtësi dhe institucione, opinioni ka të drejtë t’i pyesë: ku ishin ata kur ndërtohej sistemi që i mbulonte tragjeditë dhe krimet ndaj shqiptarëve?

Pikërisht Blerim Bexheti, si ish-ministër i drejtësisë, së bashku me Sasho Mijalkovin, emëronte dhe përzgjidhte gjyqtarët dhe prokurorët që më pas heshtnin, mbulonin dhe nuk vepronin në rastet që tronditën tërë opinionin:

Për rastin “Monstra”, ku shqiptarët u akuzuan padrejtësisht si terroristë;

Për “Lagjen e Trimave”, ku u vranë 10 shqiptarë dhe e vërteta kurrë nuk u hetua;

Për rastin “Alfa”, ku shqiptarët u dënuan mbi akuza të montuara;

Për tragjeditë në Tetovë, Durmo Tours, Besa Trans , pa asnjë dorëheqje, pa asnjë ndëshkim serioz.

Të gjitha këto raste kanë një të përbashkët: të njëjtët gjyqtarë dhe prokurorë të emëruar në kohën e BDI-së, që nuk ndërmorën asnjë veprim.

Blerim Bexheti nuk është pjesëmarrës i rastësishëm, ai është krijuesi i atij sistemi të pandëshkueshmërisë, ku jetët dhe të drejtat e shqiptarëve u margjinalizuan, u injoruan dhe u sakrifikuan për marrëveshje politike dhe karrierë personale.

Sot, kur institucionet më në fund kanë filluar të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi, ata që ndërtuan sistemin e heshtjes dhe të pandëshkueshmërisë nuk kanë as moralin dhe as kredibilitetin për të folur për drejtësi.

Shqiptarët nuk harrojnë.

Nuk harrojmë kush e mbyllte drejtësinë pas dyerve të Këshillit Gjyqësor.

Nuk harrojmë kush heshti kur vdisnin bashkëqytetarët tanë.

Nuk harrojmë kush bashkëpunonte me Mijalkovin, e jo me të vërtetën.

Koha e pandëshkueshmërisë ka marrë fund.

Po vjen koha e përgjegjësisë së vërtetë.

MARKETING