VLEN: BDI të përgjigjet për Monstrën, Almirin, Lagjen e Trimave dhe Car Dushanin

Thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë kanë nxitur përplasje në mes partive shqiptare në Maqedoni. Nga VLEN thonë se Bashkimi Demokratik për Integrim nuk mund të fshihet përgjithmonë pas fjalëve “patriotizëm”, “dinjitet” dhe “e ardhme”, duke lënë pas tragjedi të pandëshkuara, afera të pazgjidhura dhe pasurim imoral.
Nga VLEN theksojnë se BDI duhet të përgjigjet për rastet “Monstra”, Almiri, Lagjja e Trimave dhe Car Dushani.
“A është patriotizëm të heshtësh për Monstrën, ku shqiptarët u shpallën terroristë pa prova? A është patriotizëm të mos japësh dorëheqjen pas ngjarjeve në Lagjen e Trimave, ku 10 shqiptarë u vranë në një aksion të dyshimtë policor? A është patriotizëm të injorosh rastin Alfa, ku shqiptarët u dënuan në një proces që i ngjan një montimi klasik? A është patriotizëm heshtja për vrasjen e Almirit të vogël, ku gjykata e quajti “aksident trafiku”, dhe ju nga BDI heshtnit? A është patriotizëm enciklopedia që qeveria juaj e shtypi? A është patriotizëm që i lejuat fëmijët të mësonin nga librat shkollorë me histori të shtrembëruar shqiptare?”.
“A është patriotizëm Shkupi 2014, pa asnjë element shqiptar? A është patriotizëm monumenti i Car Dushanit përpara Sheshit? A është patriotizëm tragjedia me spitalin modular, pa asnjë dorëheqje? A është patriotizëm Durmo Tours dhe Besa Trans, ku vdiqën dhjetëra e dhjetëra shqiptarë, pa drejtësi, pa llogaridhënie? A është patriotizëm fakti që Artan Grubi është në listën e zezë të SHBA-së, për shkak se është i lidhur me njerëz që përndoqën dhe maltretuan shqiptarët? BDI nuk duhet të largohet më nga këto pyetje”, thonë nga VLEN.
Më tej theksojnë se koha e heshtjeve ka mbaruar dhe se tani është koha për përgjegjësi, llogaridhënie dhe drejtësi.