VLEN: BDI gënjen, ofertën më të lirë e paraqet si korrupsion, sepse iu ndërprenë kanalet e vjetra të vjedhjes së parave në MEPSO

VLEN: BDI gënjen, ofertën më të lirë e paraqet si korrupsion, sepse iu ndërprenë kanalet e vjetra të vjedhjes së parave në MEPSO

Pas komunikatës së BDI-së ku kanë hedhur akuza për keqpërdorime në MEPSO, kanë reaguar nga koalicioni VLEN.
Sipas tyre, BDI po gënjen, manipulon dhe e nënçmon opinionin publik.
“BDI përsëri gënjen, manipulon dhe e nënçmon opinionin publik. Ofertën më të lirë e paraqesin si korrupsion, sepse nuk mund të pajtohen me faktin se MEPSO nuk është më kasa e tyre partiake.
Faktet janë të qarta: në procedurën konkrete është zgjedhur oferta më e lirë. Ofertuesi i përzgjedhur ka ofruar çmim prej 184.535 denarësh pa TVSH, ndërsa oferta e renditur e dyta ka qenë 651.165 denarë pa TVSH. Diferenca është 466.630 denarë, përkatësisht oferta e zgjedhur është rreth 72 për qind më e ulët.
Çfarë saktësisht e pengon BDI-në? Që është zgjedhur oferta më e lirë? Apo që më nuk mund të vendosin ata se kush do t’i fitojë tenderët?
BDI me qëllim e ngatërron vlerën kornizë me çmimin e ofruar. Kjo është një kontratë kornizë, jo pagesë automatike. Vlera maksimale nuk do të thotë se do të shfrytëzohet e gjithë shuma, as se paratë janë paguar paraprakisht. Porositë realizohen sipas nevojës, veçmas dhe sipas punëve të kryera realisht. Por këtë herë me çmime shumë më të ulëta, ndryshe nga koha kur ata menaxhonin.
Prandaj konstruksioni i tyre bie që në faktin e parë.
Arsyeja e vërtetë e kësaj britme politike është tjetër: BDI bërtet sepse MEPSO ka filluar t’i ndërpresë skemat e vjetra. Bërtasin sepse u ndërpre kontrata në të cilën, sipas informacioneve publike, paraqitej edhe interesi i Nefit nga Ohri, i afërt me Ali Ahmetin dhe Bujar Osmanin. Bërtasin sepse u hap çështja se si për vite me radhë janë tërhequr para nga MEPSO përmes firmave të afërta, njerëzve të afërt dhe qarqeve të afërta me udhëheqësinë e BDI-së.
Në vend që të flasë për korrupsion, BDI duhet të përgjigjet:
Kush kishte interes nga kontratat e vjetra?
Kush i mbron sot ato skema?
Pse bërtasin sikur dikush ua ka futur dorën në xhep?
BDI nuk ka kredibilitet të flasë për transparencë. Ata janë simbol i partizimit, klientelizmit dhe shndërrimit të ndërmarrjeve publike në plaçkë partiake.
VLEN nuk do të tërhiqet para gënjeshtrave të tyre. Institucionet nuk janë pronë private e BDI-së. MEPSO nuk do të jetë më bankomat për interesa partiake dhe familjare.
Faktet janë të qarta: është zgjedhur oferta më e lirë, kontrata është kornizë, ndërsa BDI gënjen sepse po u shembet sistemi i kontrollit dhe i zhvatjes së parave publike”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.

MARKETING