VLEN: BDI e nxori studentin në rrugë, ne po i bëjmë të gjitha provimet në gjuhën shqipe

VLEN: BDI e nxori studentin në rrugë, ne po i bëjmë të gjitha provimet në gjuhën shqipe

VLEN ka reaguar ashpër ndaj, siç thotë, përpjekjeve të vazhdueshme të BDI-së për të manipuluar opinionin publik përmes protestave dhe kauzave të rreme politike. Nga VLEN vlerësojnë se çdo tentim i fundit i BDI-së ka përfunduar me dështim dhe humbje të besimit qytetar.

“BDI-së i shkoi huq edhe një tentim. Asgjë nuk po u shkon për dore. Provuan me tenda në shesh, gjoja për mbrojtjen e gjuhës shqipe, e përfunduan me non grata. Provuan me letra drejtuar ndërkombëtarëve dhe morën zero përgjigje. Provuan me mashtrimin politik të quajtur ‘referendumi’ dhe humbën me 10 komuna në konto të VLEN-it. Në fund, tentuan të shpëlahen në kurriz të studentëve. Edhe kjo u dështoi”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

Sipas tyre, protesta e fundit vetëm sa ka zbuluar fytyrën e vërtetë të BDI-së dhe tentativat për të instrumentalizuar studentët për interesa politike.

Nga VLEN theksojnë se kërkesa e studentëve për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është trajtuar seriozisht dhe se zgjidhja nuk do të kufizohet vetëm në këtë drejtim.

“Studentët kërkuan provimin e jurisprudencës në shqip, një mundësi që deri sot nuk ka ekzistuar. VLEN iu qas këtij problemi në rrënjë. Prandaj, zgjidhja nuk do të ndalet vetëm te jurisprudenca. Të gjitha provimet profesionale do të mund të jepen edhe në gjuhën shqipe”, deklarojnë nga koalicioni.

Në reagim përmenden edhe disa çështje të tjera që, sipas VLEN-it, kanë marrë zgjidhje konkrete në një periudhë të shkurtër, si provimet profesionale për mjekët, të drejtat e edukatoreve në çerdhe, statusi i Medresesë dhe largimi i kazinove nga zonat e banuara.

“Kështu punohet kur ka vullnet. Problemet që BDI i la peng me vite, VLEN po i mbyll një nga një”, thuhet më tej në komunikatë.

Në fund, VLEN vlerëson se “agallëku politik” i BDI-së ka përfunduar me kalimin e saj në opozitë, duke shtuar se qytetarët tashmë kanë zgjedhur ndryshimin.

MARKETING