Vizitë zyrtare e Prof. Dr. Adnan Ismailit dhe Dr. Ridvan Xhaferit në Ambasadën e Shtetit të Katarit

Prof. Dr. Adnan Ismaili dhe Kryetari i Organizatës për Kulturë dhe Humanizëm “Merhamet”, Dr. Ridvan Xhaferi, realizuan sot një vizitë zyrtare dhe takim miqësor me z. Rashid Bin Said Al-Hajarin, Ushtrues Detyre i Ambasadorit të ri të Shtetit të Katarit në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë këtij takimi të ngrohtë dhe të frytshëm, përfaqësuesit e OKH “Merhamet” i uruan mirëseardhje Ambasadorit të sapoemëruar, duke i shprehur urimet më të sinqerta për suksese dhe arritje të shumta gjatë mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.
Në bisedë u diskutua për projektet e realizuara deri më sot nga “Merhamet” në bashkëpunim me institucionet dhe organizatat nga Shteti i Katarit. Palët shprehën gatishmërinë për të forcuar dhe zgjeruar më tej këtë bashkëpunim në fusha të ndryshme me rëndësi për komunitetin.
Theksi u vu mbi rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme për projekte humanitare, sociale, edukative dhe kulturore, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e mirëqenies së shtresave më të ndjeshme të shoqërisë dhe forcimin e strukturave shoqërore përmes solidaritetit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
OKH “Merhamet” riafirmon përkushtimin e saj për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë, duke synuar forcimin e marrëdhënieve ekzistuese dhe zhvillimin e iniciativave të reja që sjellin ndikim të qëndrueshëm dhe të prekshëm në jetën e përditshme të komunitetit.