Vizitë diplomatike në BFI e Strugës – Meidani takon Myftiun

Vizitë diplomatike në BFI e Strugës – Meidani takon Myftiun

Myftinia e BFI-së në Strugë mirëpriti një vizitë zyrtare të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Shkup, Shkëlqesia e Tij Denion Meidani, i cili ishte i shoqëruar nga z. Izmit Nura. Kjo vizitë u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore dhe institucionale, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira ndërmjet institucioneve fetare dhe atyre diplomatike shqiptare në rajon.

Ambasadori Meidani u prit nga Myftiu i Strugës, H. Adi ef. Murtishi, Sekretari i Myftinisë, H. Shefit ef. Ajredini, si dhe stafi drejtues i institucionit. Gjatë takimit u diskutuan çështje me rëndësi që prekin jetën fetare, kulturore dhe arsimore të komunitetit mysliman shqiptar në Maqedoninë e Veriut, me theks të veçantë në bashkëpunimin e ndërsjellë për forcimin e identitetit kombëtar dhe fetar.

Myftiu Murtishi shprehu mirënjohjen e tij për interesimin dhe kujdesin e treguar nga Ambasadori Meidani për zhvillimet në trevat shqiptare të vendit dhe i dhuroi atij disa botime të Myftinisë, të cilat pasqyrojnë angazhimin e saj në promovimin e dijes, besimit dhe harmonisë ndërfetare.

Pas takimit, Ambasadori pati mundësinë të vizitojë hapësirat e zyrave të Myftinisë dhe të njihet më nga afër me punën dhe organizimin e institucionit.

MARKETING