(VIDEO) Zv/kryeministri Fetai: Nuk më dëmtoni me metoda udbashe, rroftë UÇK-ja
Në rrjete sociale dhe në disa portale pa adresë të qartë janë shpërndarë postime që pretendojnë se zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë dhe njëri nga liderët e VLEN, Arben Fetai është kundër UÇK-së. Postimet ndërlidhen me protestën për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, e cila është planifikuar të mbahet në Shkup më 13 dhjetor. Në këto shkrime pretendohet se liderët e VLEN-it janë dorëzuar para presionit të kryeministrit Mickoski, i cili ka deklaruar se shpreson që koalicioni VLEN nuk do ta mbështesë protestën.
Në reagimin e tij në Facebook, Fetai ka theksuar se ata që mendojnë se mund ta diskreditojnë me metoda të tilla udbashe, “gabohen rëndë” dhe se do të përballen me drejtësinë.
ARBEN FETAI, ZËVENDËSKRYEMINISTËR
“Kushdo që përdor fotografinë time dhe shpik fjalë që nuk i kam thënë me qëllim për të më dëmtuar, le ta dijë mirë se ka kaluar çdo kufi të lejueshëm. Nuk ka tolerancë për shpifësit e porositur. Do të përballen me drejtësinë, secili prej tyre. Shpifja, montazhi dhe fabrikimi i deklaratave nuk më lëkundin aspak. Përkundrazi, ato më forcojnë edhe më shumë në bindjet dhe rrugën time”
Ai postimin e tij në Fejsbuk e përmbyll me fjalët: Rroftë UÇK-ja”
Ndëkohë, po sot zëvendëskryeministri Fetai ka uruar rizgjedhjen e Hristijan Mickoskit në krye të VMRO-DPMNE-së. Sipas tij, bashkëpunimi si në Qeveri ashtu edhe si koalicion, do të vazhdojë me të njëjtin ritëm, me të njëjtin fokus dhe energji, progres dhe rezultate konkrete që e çojnë vendin përpara.
/SHENJA/

