(VIDEO) Zjarr në Parkun Kombëtar “Mali Sharr”, digjen 5-6 hektarë pyje dhe kullota
Gjatë ditës së djeshme një zjarr ka shpërthyer në Parkun Kombëtar “Mali Sharr”, konkretisht mbi fshatin Tearcë, Komuna e Tearcës. Qendra për Menaxhim me Kriza, njoftoi se zjarri është ende aktiv dhe i njëjti është në terren të vështirë për t’u arritur, pasi duhen të paktën dy orë ecje deri atje.
QENDRA PËR MENAXHIM ME KRIZA
“Për zhvillimin e ngjarjeve janë njoftuar edhe forcat e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim. Sipas informacioneve nga terreni deri te vendi i zjarrit në pyll mbi fshatin Tearcë, rruga është e gjatë rreth dy orë me ecje, pasi pozicioni ku ende digjet është shumë i lartë dhe në terren të vështirë”.
Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza -Tetovë, lidhur me zjarrin njoftoi se kanë kontaktuar rojtarin e punësuar në Parkun Kombëtar “Mali Sharr” dhe pas kësaj edhe drejtorin e Parkut Kombëtar dhe ai ka konfirmuar se zjarri është ende aktiv.
QENDRA PËR MENAXHIM ME KRIZA
“Në momentin e këqyrjes së djeshme është konstatuar se është djegur një sipërfaqe prej rreth 5-6 hektarësh, një pjesë e së cilës ishte pyll ahu , ndërsa pjesa tjetër kullota dhe fier. Në këtë zonë para 4-5 vitesh ka pasur zjarr dhe si pasojë ka një numër të madh pemësh të rëna që tani po digjen”.
Ndërkaq , nga Parku Kombëtar bëjnë me dije se ka shpresë që me uljen e temperaturës zjarri të shuhet vetë. Ata sqarojnë se një ekip kujdestar i Parkut Kombëtar ka monitoruar zjarrin duke qenë në terren dhe nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejt me qytetarët që jetojnë përreth zonës ku ndodhet zjarri.
Samir Mustafa /SHENJA/