(VIDEO) Zhvendosja e palestinezëve nga Gaza, Izraeli udhëzon ushtrinë të përgatis plane për largimin e palestinezëve

(VIDEO) Zhvendosja e palestinezëve nga Gaza, Izraeli udhëzon ushtrinë të përgatis plane për largimin e palestinezëve

Ministri i Mbrojtjes Izraelit tha se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës, në linjë me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha më 6 shkurt se plani “do të përfshijë opsione për t’u larguar përmes pikakalimeve tokësore si dhe një marrëveshje të posaçme për largim nga deti dhe ajri”.

Ai tha se mirëpret planin “e guximshëm të Trumpit, që mund të lejojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të largohet në pjesë të ndryshme të botës”.

Më herët gjatë javës, Trump propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër derisa SHBA-ja të rindërtonte territorin.

Zyrtarët amerikanë më pas thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më.

Detajet e planit të Trumpit, që u përmend për herë të parë muajin e kaluar, mbeten të paqarta. Ende nuk dihet se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.

Zhvendosja e palestinezëve është një nga çështjet më të ndjeshme në Lindjen e Mesme. Zhvendosja e detyruar e një popullsie nën okupimin ushtarak është një krim lufte, i ndaluar sipas Konventave të Gjenevës të vitit 1949.

Kina, Turqia, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe kanë kundërshtuar idenë, duke thënë se palestinezët duhet të lejohen ta rindërtojnë vendin e tyre.

Sulmet izraelite që vranë mbi 47 mijë njerëz gjatë 16 muajve të fundit i kanë detyruar palestinezët të lëvizin vazhdimisht brenda Gazës, duke kërkuar siguri.

Njoftimi i papritur i Trumpit, i cili ka shkaktuar zemërim në Lindjen e Mesme, ka ardhur në kohën kur Izraeli dhe grupi militant Hamas pritej të fillonin bisedimet për rundin e dytë të një plani armëpushimi, për t’i dhënë fund luftimeve gati 16 mujore në Gaza. /SHENJA/

MARKETING