QMK: 20 zjarre të regjistruara në 24 orët e fundit, tre ende aktive
Deri në orën 07:30 janë regjistruar gjithsej 20 zjarre në sipërfaqe të hapura në territorin e Maqedonisë së Veriut, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza.
Nga 20 zjarret e raportuara, tre janë ende aktive, dy janë vënë nën kontroll, ndërsa 15 janë shuar plotësisht gjatë 24 orëve të fundit.
Zjarret aktive janë regjistruar në tri lokacione. Në Krivogashtan, në segmentin ndërmjet fshatrave Podvis dhe Krivogashtan, po digjet bimësi e ulët. Zjarr është raportuar edhe në fshatin Evla të Resnjës, ku janë përfshirë mbeturina dhe bimësi e ulët, si dhe në fshatin Pçinja të Kumanovës, ku zjarri ka përfshirë gjithashtu bimësi të ulët dhe mbeturina.
Ndërkohë, dy zjarre janë vënë nën kontroll. Njëri ndodhet në zonën ndërmjet Makedonski Brodit dhe Sopishtes, pranë fshatit Belicë, në lokalitetin Kajorec, me përhapje në drejtim të Jasenit. Në këtë zonë është përfshirë pyll me drurë të ulët dhe pyll i përzier.
Zjarri në territorin e Komunës së Novo Sellës, pranë fshatit Badilen, ku është përfshirë një sipërfaqe pyjore, gjithashtu është vënë nën kontroll.
Gjatë 24 orëve të fundit, ekipet e zjarrfikësve dhe shërbimet kompetente kanë ndërhyrë për shuarjen e gjithsej 15 zjarreve në sipërfaqe të hapura. Zjarre janë raportuar dhe lokalizuar edhe në zonat e Shkupit, Manastirit, Dibrës, Shtipit, Karbincit, Vinicës, Berovës, Kumanovës, Rankovcit dhe Tetovës.
Komanda Qendrore njofton se situata në terren po monitorohet vazhdimisht, ndërsa institucionet dhe shërbimet kompetente vijojnë të koordinojnë aktivitetet për përballimin dhe menaxhimin e situatës me zjarret.

