(VIDEO) Zgjedhjet lokale, në mesnatë përfundon afati për regjistrimin e personave të sëmurë

(VIDEO) Zgjedhjet lokale, në mesnatë përfundon afati për regjistrimin e personave të sëmurë

Sot në mesnatë përfundon afati për regjistrimin e personave të sëmurë dhe të pafuqishëm për të votuar në Zgjedhjet lokale më 19 tetor, ndërsa më 14 tetor përfundon afati i fundit për regjistrimin e personave që dëshirojnë të votojnë në zgjedhje, por të cilët janë të dënuar me masën e arrestit shtëpiak. Sipas afateve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, votuesi që nuk ka mundësi fizike të votojë në qendrën e votimit dhe dëshiron të votojë duhet ta njoftojë Komisionin Komunal Zgjedhor jo më vonë se shtatë ditë para ditës së caktuar për votim, pra 10 tetor në mesnatë.

Personat e pafuqishëm ose të sëmurë, personat në arrest shtëpiak, të burgosurit dhe personat nëpër shtëpi të pleqëve votojnë të shtunën, më 18 tetor, një ditë para ditës së caktuar për votim në zgjedhje.

Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve në vend për zgjedhjet lokale të vitit 2025 është 1,832,415 votues. Nga këto 1,717,803 votues janë të regjistruar në listën së Votuesve, ndërsa 112,000 votues janë të regjistruar në Listën e posaçme të Votuesve për personat që punojnë ose banojnë përkohësisht jashtë vendit, 2,162 votues që vuajnë dënimin me burg ose janë në paraburgim dhe 450 votues nga shtëpitë e pleqëve. Votimi në diasporë nuk përfshihet në këto zgjedhje.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING