(VIDEO) Zgjedhjet lokale, në garë për kryeqytetin 18 kandidatë

(VIDEO) Zgjedhjet lokale, në garë për kryeqytetin 18 kandidatë

Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e kandidaturave për kryetar komunash dhe këshilla komuna, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se janë dorëzuar gjithsej 312 lista kandidatësh për kryetarë komunash dhe 575 lista kandidatësh për këshilltarë të komunave dhe Qytetit të Shkupit. Ky numër përfshin listat e kandidatëve nga partitë politike dhe listat e dorëzuara nga grupe votuesish. Vetëm për Qytetin e Shkupit janë dorëzuar gjithsej 18 lista kandidatësh për kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 20 lista kandidatësh për anëtarë të Këshillit të Qytetit të Shkupit.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve

Sipas afatit kohor për Zgjedhjet Lokale të vitit 2025, Komisioni Komunal Zgjedhor i paraqet kërkesë institucioneve që posedojnë të dhëna për përmbushjen e kushteve menjëherë pas marrjes së listës, pra jo më vonë se 14 shtatori. Pasi të përfundojë verifikimi i përmbushjes së kushteve dhe procesi i heqjes së çdo parregullsie ose lëshimi në listat e kandidatëve, komisionet zgjedhore komunale i dorëzojnë listat e konfirmuara në Komisionin Shtetëror Zgjedhor për të përcaktuar renditjen në listën unike të kandidatëve, menjëherë pas konfirmimit të listës, pra jo më vonë se 20 shtatori 2025”.

Kujtojmë se, më 1 shtator përfundoi afati për paraqitjen e kandidaturave të pavarura. Në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 60 nisma për propozimin e listave për kryetarë të komunave dhe kryetar të Qytetit të Shkupit dhe 68 nisma për propozimin e listave të këshilltarëve për këshillat e komunave dhe këshillit të Qytetit të Shkupit.

Pas verifikimit të të gjithë kandidatëve, mbahet shortin për përcaktimin e listës së vetme të kandidatëve jo më vonë se 25 shtatori. Ndërsa, më pas fillon edhe zyrtarisht fushata zgjedhore, më 29 shtator. Rrethi i parë i zgjedhjeve lokale do të mbahen më 19 tetor.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING