(VIDEO) Xhaferi: Procedura për ndryshimet kushtetuese duhet të nisë në qershor

Procedura për ndryshimet kushtetuese më së voni duhet të fillojë në qershor ose në muajin korrik të këtij viti, me qëllim që të mbarojë deri në nëntor, atëherë edhe kur mbaron skriningu me Bashkimin Evropian. Kështu deklaroi sot kryeparlamentari, Talat Xhaferi gjatë brifingut me gazetarët. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do ta zgjidhin problemin e mospasjes së votave për ndryshimet kushtetuese, përkundrazi do ta komplikonin edhe më shumë.

TALAT XHAFERI, KRYEPARLAMENTAR

“Zgjedhjet mund t’i shpall vetëm kur partitë politike bien dakord për shpërndarjen e Kuvendit ose kur mandati përfundon në 90 ditët e fundit. Në kushte të tjera, palët duhet të dalin me propozimin e duhur”

I pyetur se si mund të arrihet shumica e nevojshme për ndryshimet kushtetuese, pasi që shumica aktuale nuk i ka 81 deputet, Xhaferi u përgjigj  shkurt se qeveria dhe opozita  duhet të ulen dhe të bisedojnë.

Ndërsa, për mungesën e kuorumit nëpër seanca, gjë e cila vështirëson funksionimin e Kuvendit, Xhaferi tha se çdo deputet e ka për obligim të jetë në punë, pa dallim nëse është pjesë e shumicës apo opozitës.

TALAT XHAFERI, KRYEPARLAMENTARI

“Rregullorja nuk thotë se ka të drejta të veçanta për shumicën dhe të drejta të veçanta për opozitën. Është detyrim i çdo deputeti të jetë në vendin e tij të punës dhe të vendos për çështjet që i përkasin”

Kryetari i Kuvendit gjithashtu tha se  nuk ka informacione për ecurinë e bisedimeve për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët në Qeveri, duke theksuar se kjo është punë e partive politike. Përderisa deputetët e opozitës nuk e informojnë se janë pjesë e shumicës, ai do të konsiderojë se situata në parlament nuk ka ndryshuar. Megjithatë, ai përshëndeti çdo iniciativë që do ta mbështeste punën e Kuvendit.

Linda Ebibi /SHENJA/

 

MARKETING