(VIDEO) Xhaferi: Industria të modernizohet dhe të përdorë burime të pastra të energjisë
Ndotja e ajrit vazhdon të jetë një ndër kërcënimet më të mëdha për shëndetin e qytetarëve në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave të publikuara së fundmi të Eurostat për vitin 2023, vendi renditet ndër shtetet me numrin më të lartë të vdekjeve të parakohshme që lidhen me ndotjen e ajrit. Përkatësisht, vendi regjistron 146 vdekje të parakohshme për 100 mijë banorë, 3, 5 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian prej 41 vdekjesh për 100 mijë banorë.
Ndërkohë aktivisti mjedisor Arianit Xhaferi për tvShenja tha se shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit janë industria me teknologji të vjetëruar, termocentralet që përdorin qymyr, si dhe ngrohja e amvisërive gjatë sezonit të dimrit. Sipas tij, modernizimi i industrisë dhe kalimi në burime më të pastra të energjisë janë të domosdoshme për uljen e nivelit të ndotjes.
Arianit Xhaferi, aktivist mjedisor
“Këto termocentralet realisht që përmenda rek Bitola në Manastir dhe rek oslomei në Kërçovë, duhet dhe ata të ndryshojnë mënyrën e prodhimit sepse djegja e qymyrit është një ndër ndotësit më të mëdhenj, rek Bitola është ndotësi i dytë më i madh në europë, po ashtu gjatë dimrit, ngrohja e amvisërive por edhe objekteve komerciale administrative ndikon në rritjen e ndotjes së ajrit në mungesë të një alternative siç do ishte gazi natyror apo ndonjë alternativë më e pastër nga burimet e ripërtritshme të energjisë, kështu që dmth nuk kemi gjatë gjithë vitit një ndotje normale, her më shumë e her më pak”.
Ai vlerësoi se ndotja e ajrit lë pasoja serioze në shëndetin e qytetarëve, duke goditur më së shumti fëmijët, gratë shtatzëna, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes. Sipas tij, rënia e ndjeshme e numrit të fëmijëve që kërkonin ndihmë mjekësore pas mbylljes së Jugohromit në Tetovë është dëshmi e qartë e lidhjes mes ndotjes së ajrit dhe shëndetit publik.
Arianit Xhaferi, aktivist mjedisor
“Absolutisht shumë dmth ndikon shumë, neve gjatë angazhimit tim të më hershëm me organizatat joqeveritare kishim të dhëna që tregonin se numri i fëmijëve, sidomos të moshave 0 deri 6 vjeç që kanë kërkuar brenda një viti kalendarik ndihmë mjekësore në urgjencat e spitaleve në Tetovë kishte shkuar diku mbi 30 mijë në një kohë kur punonte një gjigant ndotës në Tetovë Jugohromi i cili u mbyll fatmirësisht, por më pas ky numër ran ë 20 mijë, 13 mijë ventualisht kur u mbyll, kështuqë ndikon shumë, edhe tek fëmijët edhe tek moshat më të vjetra, ndikon sidomos tek gratë shtatzane, tek personat e tjerqë që kanë probleme me traktin dhe espiratorët”.
Tutje ai tha se masat e ndërmarra deri tani nga institucionet janë të pamjaftueshme dhe se ndotja e ajrit, si një problem serioz që e rendit vendin ndër më të ndoturit në Evropë, kërkon veprime konkrete dhe radikale, jo vetëm rekomandime. Sipas tij, zgjidhjet afatshkurtra dhe masat kozmetike nuk e adresojnë problemin, ndërsa institucionet përkatëse qoftë ministria e mjedisit qofshin komunat qofshin inspektoratet mjedisore duhet të ndërmarrin hapa të qartë për uljen e ndotjes dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, pasi ai vlerëson se problemet radikale nuk zgjidhen me zgjidhje kozmetike.
Në fund, ai theksoi se krahas masave institucionale, rëndësi të madhe ka edhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit. Sipas tij, secili individ duhet të kontribuojë duke mos hedhur mbeturina, duke raportuar çdo rast të ndotjes dhe duke u bërë pjesë aktive në ruajtjen e ambientit.
Anida Murati /SHENJA/

