(VIDEO) VMRO: Zaev e rrezikoi vendin me premtimin për zbardhjen e rastit “Monstra”

VMRO-ja ka kritikuar sot liderët e LSDM-së duke përmendur dy ngjarje që kanë ndodhur pikërisht në kohën kur në pushtet ishte pikërish kjo parti. Partia aktuale në pushtet ka përmendur vrasjet në Liqenin e Smillkovës dhe vdekjen e gazetarit Mlladenov, ndërsa ka etiketuar ish-kryeministrin Zoran Zaev, duke e akuzuar se kishte rrezikuar reputacionin e vendit duke premtuar se do të jepte fate për zbardhjen e këtyre ngjarjeve tejet të diskutueshme në opinion. “Populli nuk mori as shpjegim dhe as të vërtetën nga Zaevi, vetëm tradhti në çdo fushë”, theksohet në reagimin e VMRO-së.
VALENTIN MANASIEVSKI, VMRO
“Kur Venko Filipçe thotë se populli duhet të mësojë nga Zaevi dhe se nuk ka askush si ai, ai duhet të thotë nëse po i referohet dhënies së licencave për prodhim marihuane kushërinjve të tij? A po mëson Venko Filipçe nga Zaevi se si t’ua japë bizneset e drogës të afërmve të tij të ngushtë ndërsa ata e bënë prodhimin e marijuanës një biznes shtëpiak. A e admiron Venko Filipçe Zaevin për grabitjen që bëri? Është mirë që Venko Filipçe pranoi gjithçka dhe deklaroi qartë se po e vëzhgon dhe po ndjek shembullin e Zoran Zaevit, në mënyrë që askush të mos ketë dyshime se çfarë politikash do të ndërmerrte ai”
Sipas VMRO-s, nëse Filipçe dëshiron ta pozicionojë publikisht veten si pasardhës i Zaevit, qytetarët duhet të dinë nëse janë dakord për një vazhdim të së njëjtës histori, vetëm me një maskë të re. Partia në pushtet thekson se qytetarët nuk mund të presin asgjë nga LSDM-ja, e as nga Filipçe, i cili dëshiron të jetë një “Zaev i dytë”, një njeri nën udhëheqjen e të cilit vendi ra në krizat më të thella që nga pavarësia e saj. /SHENJA/