(VIDEO) VMRO: Krerët e sindikatave marrin rroga të majme dhe nuk u intereson punëtori

(VIDEO) VMRO: Krerët e sindikatave marrin rroga të majme dhe nuk u intereson punëtori

Në prag të protestave të paralajmëruara nga ana e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, partia në pushtet, VMRO – DPMNE ka vazhduar akuzat ndaj sindikalistëve. Sindikatat morën vendim që më 2 prill të dalin në protesta, pas vendimit të Qeverisë për rritjen e pagës minimale, ku nuk u pranuan kërkesat e sindikalistëve. Por, nga VMRO akuzuan se kryetari dhe nënkryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov dhe Ivan Peshev si dhe Trpe Deanovski nga Sinidkata e punonjësve të administratës, organeve gjyqësore dhe shoqatës së qytetarëve janë dorë e zgjatur e LSDM-së, BDI-së dhe Levicës dhe kanë të ardhura rreth 5 mijë euro. Prandaj, sipas tyre, punëtorët nuk kanë përfaqësues të besueshëm, pasi sindikalistët nuk janë të shqetësuar për punëtorët dhe i shërbejnë opozitës.

VMRO – DPMNE

“Sindikalistëve me bateri nuk u intereson punëtori, por u interesojnë të ardhurat e tyre milionëshe të cilat i marrin në formë të pagës dhe shtesave të tjera. Këto sindikalistë të rremë punojnë vetëm në drejtim të opozitës, ndërsa dëshmi për këtë është heshtja e tyre. Pyetja është pse Peshevski në kohën e qeverisjes së kaluar, për të cilën ai vetë thotë se e ka rritur koston e jetesës për 200 euro në një vit nga 2023 në 2024, nuk ka dalë në protestë dhe pastaj nuk ka kërkuar nga të njëjtët që i mbrojnë sot ta rrisin pagën minimale për 200 euro? Pse atëherë LSM, e udhëhequr nga Trendafilov, nuk bëri thirrje për protesta, por thjesht heshti me mençuri?”

Pas këtyre akuzave, kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov ka postuar një reagim në profilin e tij në Facebook, ku mes tjerash ka thënë se, sulmi ndaj një punëtori është sulm për të gjithë punëtorët.

Sllobodan Trendafillov, kryetar i LSM-së

“LSM kërkon dhe lufton për 500 euro pagë minimale dhe rritje të pagave të tjera me 100 euro dhe kjo qenka manipulimi i punëtorëve ndërsa mbajtja peng e punëtorëve në varfëri është një strategji e mirë piari! Nëse i lexonit reagimet në rrjetet sociale njësoj si lexoni njoftimet e partive, do ta shihnit realitetin, por keni syze ngjyrë rozë”.

Paga minimale për vitin 2025 do të rritet për 2.685 denarë bruto, ose për 1.812 denarë neto, njofton Qeveria. Paraprakisht sindikatat dolën me propozim për përcaktimin e pagës minimale në përputhje me ligjin, por edhe marrjen e vendimit me të cilin do të rritet paga minimale për 6.000 denarë shtesë. Kjo do të sjellë rritje edhe të pagave të tjera.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING