(VIDEO) VMRO kërkon dorëheqje nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor

Pasi kaluan në Kuvend pesë interpelancat e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, VMRO tani kërkon dorëheqjen e tyre. Deputeti Antonio Milloshovski përmes një statusi në facebook thotë se ata persona më nuk kanë legjitimitet demokratik për të punuar dhe për të sjellë vendime dhe se dorëheqjet e tyre janë hapi i vetëm demokratik që e kanë në dispozicion.
Ai theksoi se fakti që deputetët e LSDM-së dhe BDI-së, nuk votuan për interpelancat, tregon se instalime të kujt janë anëtarët e Këshillit Gjyqësor.
Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së
“Instalimet e LSDM-së dhe BDI-së në Këshillin Gjyqësor, kanë vendosur që zgjidhja më e mirë për u.d. kryetar i Gjykatës Supreme të jetë Xhemali Saiti-gjykatës që ka lidhje të ngushta me udhëheqësinë e BDI-së. Në të njejtën ditë, për gjykatës në Gostivar është zgjedhur Leonora Jakupi, vajza e ish anëtarit të Këshillit të prokurorëve Ixhet Memetit. Para vetëm dy vitesh bashkëshorti i Leonorës, Ilir Jakupi ishte zgjedhur prokuror publik në PTHP në Gostivar”.
Akuza për kapjen e gjyqësorit nga pushteti i kaluar vijnë edhe nga VLEN. Sipas koalicionit, anëtari Ii Këshillit Gjyqësor Selim Ademi, është i përfshirë në skandale si “Target-Fortesa,” ndërsa miku i tij Enver Bexheti që shpëtoi Sasho Mijallkovin, përfundoi në listën e zezë të SHBA-ve, bashkë me Artan Grubin.
VLEN
“Të njëjtët për të cilët po qan BDI-ja, e mbajtën peng drejtësinë, emëruan kuadro partiake dhe heshtën derisa shqiptarët u përjashtuan me parimin ogurzi: ‘Me një prokuror më pak shqiptar nuk shkohet në xhenet’. Këshilli Gjyqësor dhe i gjithë ai grup, që është ende në pozicionet e tij, e kanë shkatërruar besimin në drejtësi, duke e ulur atë në vetëm 2%!”
Një ditë më parë deputetët e VMRO-DPMNE-së, VLEN-it, ZNAM-it dhe Levicës, votuan për interpelancat e pesë anëtarëve të Këshilit Gjyqësor.
Emine Ismaili /SHENJA/