(VIDEO) VMRO dhe LSDM përplasen për zgjedhjet në Bërvenicë
Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse dhe anëtare e Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, në një konferencë për shtyp ka pretenduar se personi me inicialet S. Z., i njohur si Sime, nuk është në burg dhe sipas saj i dënuari në fjalë, shfaqet në prani të Kryeministrit Hristijan Mickoski në një moment ku ai po jepte një deklaratë. Kuzeska pretendon se i dënuari, punon për grupet kriminale të VMRO-së në Bërvenicë.
SINKRON: BOGDANKA KUZESKA, ZËDHËNËSE DHE ANËTARE E BORDIT EKZEKUTIV
“Prej vitesh, ai shoqërohet me Mickoskin në vizitat në terren. Është arrestuar me një sasi të madhe droge, armë, municion dhe para. E gjithë Maqedonia e ka parë duke qëlluar me kallashnikov. Në një video tjetër, ai shihet duke cituar Sheshelin para flamurit rus. Fillimisht, VMRO-ja tha se bëhej fjalë për ‘vetëm një fotografi’. Më pas u publikuan edhe fotografi dhe video të tjera. Që atëherë, ka mbretëruar heshtja”.
Kuzeska tha se Sime u arrestua në kohën kur pesë tonë drogë kaluan nga Maqedonia dhe u sekuestruan në Serbi, pranë partisë simotër SNS, në fshatin Konjuh, afër Krushevcit. Dhe sic thotë Kuzeska, është e qartë se Sime është liruar për të bërë pagesa dhe për të kërcënuar në Bërvenicë.
Nga ana tjetër partia në pushtet VMRO-DPMNE, ka reaguar ndaj deklaratës së Kuzeskës duke theksuar se LSDM-ja shqetësohet aq shumë nëse BDI-ja do të fitojë në Bërvenicë, ndërkohë që LSDM-ja nuk ka fare kandidat të vetin në raundin e dytë.
TABELË:VMRO-DPMNE
“LSDM-ja merret me gjithçka, përveç debaklit që pësoi në Bërvenicë. Qytetarët u dërguan një mesazh të qartë Filipçes dhe LSDM-së në Bërvenicë. Filipçe dhe LSDM-ja po përpiqen të gjejnë ngushëllim te renditja në vendin e katërt. Me Filipçen në krye, LSDM-ja ka rënë në vetëm 5 për qind mbështetje dhe gëzohet për humbjen 4 me 1 ndaj VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë”.
VMRO i bën thirrje LSDM-së që të deklarohet publikisht, që qytetarët ta dinë se kë mbështet dhe interesat e kujt po i mbron në të vërtetë LSDM-ja./SHENJA/

