(VIDEO) VLEN: Mesazhet e Begajt do të përkthehen në hapa konkret
Koalicioni VLEN ka vlerësuar lart vizitën zyrtare të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, duke theksuar se ky ishte një moment i rëndësishëm për forcimin e partneritetit mes dy shteteve.
Nga VLEN theksojnë se mirëpritja e organizuar nga drejtuesit e koalicionit ishte shprehje e qartë e përkushtimit për bashkëpunim të ngushtë me shtetin shqiptar. Sipas tyre, marrëdhëniet me Shqipërinë mbeten prioritet strategjik politik dhe çdo mesazh i përcjellë nga presidenti gjatë kësaj vizite do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe do të përkthehet në hapa konkret.
VLEN
VLEN e vlerëson veçanërisht mesazhin e presidentit për barazi, për rëndësinë strategjike të Korridorit 8, bashkëpunimin rajonal dhe për rrugën e qartë dhe të pakthyeshme drejt Bashkimit Evropian. VLEN do të jetë garant që këto mesazhe të përkthehen në hapa konkret, në projekte dhe vendime që i japin vendit tonë më shumë zhvillim, barazi dhe orientim të qartë evropian.
Koalicioni vlerëson se bashkëpunimi i ngushtë me institucionet e Shqipërisë do të shërbejë si shtysë për realizimin e objektivave të përbashkëta.
Gjatë qëndrimit tre-ditor në vend, presidenti Bajram Begaj zhvilloi takime me përfaqësues të faktorit politik shqiptar, vizitoi disa komuna dhe realizoi takim bilateral me presidenten e shtetit, Gordana Siljanovska Dafkova, duke konfirmuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mes dy vendeve.
Mevludin Imeri /SHENJA/

