(VIDEO) VLEN: BDI e zyrtarizoi sërbishten në Kumanovë në vitin 2010

(VIDEO) VLEN: BDI e zyrtarizoi sërbishten në Kumanovë në vitin 2010

Koalicioni VLEN ka akuzuar BDI-në për hipokrizi politike, duke thënë se partia që sot, sipas tyre, flet më së shumti për të drejtat e shqiptarëve, gjatë kohës kur ishte në pushtet ka mbështetur zyrtarizimin e gjuhës serbe në Komunën e Kumanovës. Në një konferencë për media, Granit Osmani nga VLEN prezantoi një dokument të datës 4 maj 2010, për të cilin tha se dëshmon se BDI ka votuar për futjen në përdorim zyrtar të gjuhës serbe në Kumanovë, edhe pse serbët përbënin rreth 6.5 për qind të popullsisë së komunës.

GRANIT OSMANI, VLEN

E zeza mbi të bardhë. Kjo është fytyra e vërtetë e BDI-së. Pra, kur duhej të zyrtarizohej serbishtja në Kumanovë, kishin zell, votë e vullnet. Por kur duhej të zgjidheshin hallet e shqiptarëve, gjithmonë kishte zvarritje. Pas këtij dokumenti, natyrshëm lindin disa pyetje. Pse gjithë ai kujdes për serbishten në Kumanovë, ndërsa për hallet e shqiptarëve gjithmonë kishte pengesa e vonesa? Pse nuk e patën të njëjtin vullnet për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat?”

Osmani theksoi se VLEN nuk është kundër zyrtarizimit të asnjë gjuhe, por kundër, siç tha, hipokrizisë politike të BDI-së. Ai theksoi se dallimi mes VLEN-it dhe BDI-së shihet në mënyrën e veprimit ndaj çështjeve që prekin shqiptarët. Sipas tij, ndërsa BDI flet për interesat e shqiptarëve nga opozita, VLEN po dëshmon përkushtimin e saj përmes punës dhe përgjegjësive që mban në pushtet. Ai vlerësoi se kjo, sipas tij, është një dallim që nuk mund të zbehet nga retorika apo propaganda politike.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING