(VIDEO) Venko Filipçe do të përballet me një “pandemi” tjetër, ringritjen e LSDM-së!

(VIDEO) Venko Filipçe do të përballet me një “pandemi” tjetër, ringritjen e LSDM-së!

Që sot Lidhja Social Demokrate ka udhëheqës të ri. Ish ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe është kryetari i ri i LSDM-së. Venko Filipçe ka marrë 9 052 vota, kundërkandidatët e tij Aleksandar Bajdevski 905 vota, Jovan Despotovski 2 705 dhe Sllavjana Petrovska 190 vota. Rezultatet përfundimtare do t’i publikojnë brenda 48 orësh. Pas përfundimit të votimit, Filipçe foli nga foltorja e partisë. Sipas tij, me këto zgjedhje LSDM ka treguar se ka kapacitet demokratik dhe nivel të lartë të profesionalizmit.

Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së

Vlerësoj se është realizuar proces zgjedhor i pandërprerë dhe plotësisht legjitim. Dua të uroj edhe bashkëpartiakët e mi që ishin pjesë e kësaj gare zgjedhore. Më vjen mirë që kemi pasur zgjedhje konkuruese me më shumë kandidatë. Nga kjo fushatë besoj se të gjithë mësuam diçka dhe kontributi i secilit ishte i rëndësishëm. LSDM edhe një herë ka demostruar kapacitetin e saj demokratik, të cilin si president i ardhshëm do ta ushqej dhe avancoj”.

Deputetja aktuale dhe ish ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska tërhoqi kandidaturën e saj një ditë para zgjedhjeve të brendshme në LSDM, përshkak të vërejtjeve që kishte në procesin zgjedhor.

Edhe pse LSDM thotë se procesi ka qenë legjitim, ka pasur vërejtje edhe nga kandidatët e tjerë të garës për kryetar.

Jovan Despotovski paralajmëroi kundërshtime dhe akuzoi se mbi 10 mijë anëtarë të partisë të cilët janë regjistruar për të votuar, nuk mundën ta bënin këtë.

Aleksandar Bajdevski, nga ana tjetër, pas mbylljes së vendvotimeve, ka reaguar për pjesëmarrjen e ulët dhe ka thënë se kjo është për shkak të mungesës së Kongresit të përgjegjshëm dhe procesit të nxituar zgjedhor.

Deri te zgjedhjet në LSDM erdhi pasi që kjo parti në zgjedhjet e 8 majit, përjetoi humbje të thellë, pas çka kryetari Dimitar Kovaçevski dha dorëheqje nga posti i udhëheqësit të LSDM-së.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING