(VIDEO) Vdekja e 9 vjeçarit në spital, inspektorati: Mjekët nuk kanë faj, BDI kërkon dorëheqje

Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor ka konstatuar se nuk ka pasur mangësi në trajtimin e fëmijës nëntë vjeçar nga fshati Peshirovë afër Sveti Nikolskos, në institucionet shëndetësore ku ai është trajtuar. Ministria e Shëndetësisë informoi se nga vëzhgimi i inspektoratit, rezultoi se më 14 janar fëmija fillimisht shkoi për ekzaminim te mjeku amë. Ai ankohej për dhimbje barku, të vjella, kollë dhe temperaturë të lartë, 39 gradë, e cila e mbante zgjuar gjithë ditën dhe natën. Janë kryer analizat laboratorike dhe i është dhënë terapia me infuzion, gjatë së cilës fëmija ka shfaqur përgjumje me reagim të dobët ndaj të folurit, dhe për këtë arsye është dërguar në Spitalin Klinik të Shtipit. Aty janë kryer teste laboratorike dhe një skanim i kokës, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes fëmija me autoambulancë është transportuar në Klinikën e Fëmijëve në Shkup, ku ka mbërritur gjysmë ore pas orës 20.
INSPEKTORATI SHTETËROR SANITAR SHËNDETËSOR
“Për shkak të gjendjes së përgjithshme të rëndë, ka filluar menjëherë rihidrimi dhe korrigjimi i parametrave biokimikë. Dy orë më vonë, gjendja e fëmijës u përkeqësua më tej me ndalim të frymëmarrjes. Kështu që filloi reanimacioni, por fatkeqësisht gjendja e fëmijës vazhdoi të përkeqësohej dhe fëmija ndëroi jetë pas një ore”.
Meqë ky nuk është rasti I parë I vdekjes së një fëmijë në spital, BDI i ka bërë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë që të merr masa urgjente për vdekjen e fëmijëve në Klinika. Ata thonë që familjet meritojnë siguri dhe dinjitet kur kërkojnë ndihmë mjekësore, dhe po ashtu, vendi ynë meriton një sistem shëndetësor që është për shembull, jo për keqardhje.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“E dimë që sfidat ekzistojnë, por askush nuk mund të pranojë që shëndetësia të degradohet deri në atë pikë sa prindërit të hyjnë në spitale me shpresë dhe të dalin me zemër të thyer. Kjo nuk është një çështje partie apo politike. Është një thirrje njerëzore. I bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe të gjitha institucioneve të përfshira që të ndërmarrin hapa urgjentë”.
Kjo situatë sipas BDI-së është një moment që kërkon reflektim dhe veprim. Sepse siç thonë ata, asnjë prind nuk duhet të përjetojë dhimbjen e humbjes së një fëmije dhe asnjë fëmijë nuk duhet të humbasë shansin për jetë, dhe se çdo resurs duhet të drejtohet atje ku është më e nevojshme – në shpëtimin e jetëve dhe përmirësimin e kushteve për më të vegjëlit.
Anida Murati /SHENJA/