(VIDEO) Vazhdojnë reagimet ndaj veprimit të Siljanovskës

(VIDEO) Vazhdojnë reagimet ndaj veprimit të Siljanovskës

Vazhdojnë reagimet e shteteve fqinje dhe europiane lidhur me deklaratën e presidentes Gordana Siljanovska Davkova e cila gjatë betimit të saj si presidente në vend të emrit kushtetues të shtetit “Maqedonia e Veriut”, tha vetëm “Maqedonia”. Deputetët gjerman kanë deklaruar se presidentja Davkova ka bërë një precedent të cilën qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE-së nuk guxon ta përsërisë. Sipas deputetit të liberalëve në pushtet i ngarkuar për çështjet europiane, Thomas Hacker tha se veprimi i Davkovës është për keqardhje. Ai theksoi se në këtë kontekst e kupton vendimin e ambasadores greke për t’u larguar nga inaugurimi.

THOMAS HACKER, DEPUTET GJERMAN

Rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut ishte mjaft e vështirë edhe para deklaratave të presidentit të ri. Është e vërtetë që BE-ja mban një pjesë të fajit për rrugën e ngadaltë të vendit, por nëse provokimeve të presidentes i bashkohet edhe qeveria e re, deklarata të tilla do të jenë në kundërshtim me Marrëveshjen e Prespës dhe kjo do të jetë një pengesë e madhe në rrugën drejt BE-së”.

Duke folur për çështjen e marrëdhënieve mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ministri i jashtëm grek Georgios Gerapetritis tha se pala greke kërkon respektimin e marrëveshjes së Prespës. Ai shtoi se akuzat e opozitës greke janë të rreme dhe nuk korrespondojnë me situatën.

GEORGIOS GERAPETRITIS, MINISTËR I JASHTËM GREK

Së pari, nuk ka absolutisht asnjë lutje nga pala greke. Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes. Ju e dini shumë mirë që nga momenti kur një marrëveshje ndërkombëtare ratifikohet në parlament, ajo fiton fuqi mbi ligjet. Asnjë vend nuk mund ta rishikojë në mënyrë të njëanshme këtë marrëveshje. Pra, edhe kur nuk është dakord me atë që ka në kontratë, duhet ta zbatojë atë. Veçanërisht dua të theksoj trajtimin e ndryshëm institucional në të dy vendet”.

Ministri i Drejtësisë Krenar Lloga dje deklaroi se sa i përket këtij rasti mund të nisin procedurë para Gjykatës Kushtetuese, sepse siç tha ai nëse kemi një precedent të tillë, në të ardhmen mund të ketë individë që do të duan të dëshmojnë se janë patriotë të mëdhenj nga cilido komunitet.

Pas reagimit të opinionit vendas dhe ndërkombëtar, presidentja Gordana Siljanovska Davkova përmes një komunikate për media tha se do t’i përmbahet aplikimit zyrtar të emrit kushtetues, nga kabineti i Siljanovskës thonë se presidentja Siljanovska ka të drejtë të përdorë emrin Maqedoni, si akt i të drejtës personale për vetëvendosje.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING