(VIDEO) Vazhdojnë përplasjet partiake për migrantët e Britanisë
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka theksuar se VMRO–DPMNE e ka tradhtuar dhe e ka shitur Maqedoninë e Veriut për migrantë. Ai theksoi se kjo është arsyeja pse Qeveria e VMRO–DPMNE-së nuk jep përgjigje konkrete për marrëveshjen me Mbretërinë e Bashkuar, duke kujtuar se LSDM prej ditësh kërkon përgjigje të qarta nga kryeministri Mickoski. Filipçe tha se është e qartë se pranimi i migrantëve është pjesë e kredisë së dakorduar me Mbretërinë e Bashkuar.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM
“Prej disa ditësh me radhë paralajmërojmë se kryeministri Mickoski ka negociuar për pranimin e migrantëve në Maqedoni. Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi kërkuar të përgjigjen: a është dakorduar plan për pranimin e migrantëve? A do t’u lejohet dhe a do t’u jepet qëndrim i përhershëm? A do t’u sigurohet punë? A do të marrin pasaportë maqedonase? A planifikoni t’i vendosni në tenda apo t’u ndërtoni banesa sociale? Dhe, siç shihni – nuk ka përgjigje!”.
Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka mohuar kategorikisht se ekziston ndonjë marrëveshje për pranimin e emigrantëve.
TIMÇO MUCUNSKI, MINISTËR I PUNËVE TË JASHTME DHE TREGËTISË
“Dua të jem i qartë: kjo Qeveri as nuk ka ndjek dhe as nuk do të ndjekë politikë për pranimin e emigrantëve – në asnjë formë. Nuk ka marrëveshje, as negociata, nuk ka kuota, as qendra, as marrëveshje transiti. Një iniciativë e tillë as nuk është shqyrtuar, as nuk ka ndonjë qëllim politik në atë drejtim. E gjithë kjo është absolutisht e pavërtetë”
Ai më tej shton se Qeveria është plotësisht e përkushtuar ndaj zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe se ndërton partneritete që sjellin përfitime konkrete për çdo familje, për çdo komunë dhe vendin në tërësi.
Samir Mustafa /SHENJA/

