(VIDEO) Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës urojnë Gashin

(VIDEO) Udhëheqësit e Shqipërisë dhe Kosovës urojnë Gashin

Pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, urimet për postin e tij kanë qenë të shumta. Ndër to edhe kryetarët e parlamenteve të Shqipërisë dhe Kosovës kanë uruar Gashin për zgjedhjen e tij. Në urimin e saj, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, u shpreh se pret zgjerim dhe rritje të bashkëpunimit parlamentar midis Kuvendeve të shteteve.

Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

“Urime Kryetarit të ri të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi. Me besimin se bashkëpunimi parlamentar mes Kuvendit të  Shqipërisë dhe Kuvendit të  Maqedonisë së Veriut  do të rritet e zgjerohet”.

Në ndërkohë, edhe Ilir Meta, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-president i Shqipërisë, ka lënë urimet e tij për Gashin në rrjetin social Facebook, i cili potencon që beson se me përvojën e tij parlamentare, Gashi do të demonstrojë lidership gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, pavarësisht dallimeve etnike dhe politike.

Ilir Meta, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-president i Shqipërisë

“Besoj se me përvojën e tij parlamentare do të demonstrojë lidership gjithëpërfshirës dhe bashkëpunues, pavarësisht dallimeve etnike dhe politike dhe do të garantojë të drejtat e opozitës në Kuvend dhe pjesëmarrjen e saj të plotë në jetën institucionale dhe demokratike. Shqiptarët, si faktor shtetformues, të orientuar qartë nga BE dhe NATO, kanë një rol kyç për harmoninë ndëretnike, stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë së Veriut”.

Kanë uruar edhe drejtuesit e institucioneve të Kosovës. Kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, i cili thekson se do të jetë një kënaqësi për të thelluar bashkëpunimet dhe për të çuar përpara interesat e vendit.

Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit 

“Mezi pres të punoj për të çuar përpara interesat tona të përbashkëta, duke kontribuar së bashku për stabilitetin e qëndrueshëm rajonal dhe integrimet euroatlantike. Pres që marrëdhëniet mes institucioneve tona të konsolidohen edhe më shumë. Shqiptarët nuk janë vetëm faktor demografik, por edhe i demokracisë në Maqedoninë e Veriut”.

Ndër të tjerash, nuk mungoi as urimi i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ku ajo theksoi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë luajtur rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut.

Vjosa Osmani, presidente e Kosovës

“Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë luajtur rol kyç në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Maqedonisë së Veriut ndërkaq sot janë kontribues kyç për perspektivën evropiane të saj. Shtetet tona gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore, të bazuara në respekt të ndërsjellë, miqësi e bashkëpunim. I uroj Kryetarit Gashi shumë suksese në këtë pozitë të rëndësishme”.

Në mesin e tërë urimeve të e kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashit, me kuriozitet tanimë pritet puna, mundi dhe kontributi i tij për përmirësimin e vendit. /SHENJA/

 

MARKETING