(VIDEO) U shënua jubileu i 15-të i ndarjes së çmimeve për kompanitë
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka shënuar jubileun e 15-të të ngjarjes më të rëndësishme ekonomike në vend dhe më gjerë TOP 100. Gjatë ngjarjes, OEMVP ndau edhe çmime për kompanitë që kanë dhënë kontribut dukshëm për ekonominë e vendit, duke vlerësuar suksesin dhe ndikimin e tyre pozitiv. Top pesë kompanitë fituese të këtij edicioni u shpallën: Kompania Dauti – Komerc në vendin e parë, pasuar në vendin e dyrë nga Pofix. Bas Tuti Fruti u radhit e treta, Vardar Dolomit e katërta , dhe Mega Auto Parts e pesta. Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore Mendi Qyra theksoi rëndësinë e manifestimit të TOP 100, dhe theksoi se ky 15 vjetor jubilar, është dëshmia më e madhe e rritjes dhe zhvillimit të bizneseve. Ndër tjerash ai theksoi se OEMVP është e vetmja që shpërblen kompanitë duke aplikuar metodologji parimore. Qyra tha se rritja enorme e TOP 100 kompanive për këto 15 vite, vjen si rezultat i përkushtimi të kompanive, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ideve kreative që ndikojnë në qëndrueshmërinë e bizneseve.
MENDI QYRA, KRYETAR I ODËS EKONOMIKE TË MAQEDONISË VERI-PERENDIMORE
“Qarkullimi i cili kapte shifrën prej 350 milionë euro gjatë vitit 2009, në vitin 2023 ajo arrin në 1.4 miliardë euro, një rritje prej 1.1 miliardë euro, ose 370 për qind krahasuar me edicionin e parë të TOP 100 të vitit 2010. Kurse neto fitimi gjatë vitit 2009 për këto TOP 100 kompani, përfaqësonte vlerën vetëm për 22 milionë euro, ndërkaq në vitin 2023, kjo shifër arrin në 100 milionë euro, ose mbi 300 për qind më shumë se në vitit 2010”.
Në këtë event mori pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, i cili theksoi që sektori publik dhe privat duhet të bashkëpunojnë ngushtë, sepse siç tha, vetëm përmes bashkëpunimit mund të realizojnë objektivat e përbashkëta. Ai gjithashtu potencoi që ambiciet e Qeverisë janë të qarta – të ndërtohet një ekonomi konkurruese, e qëndrueshme dhe e gatshme për të ardhmen, duke siguruar stabilitet dhe partneritet me sektorin privat.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR I MAQEDONISË SË VERIUT
“Atëherë tani, por edhe në ardhmen, qëllimi ynë është i qartë, ta kthejmë stabilitetin ekonomik, të krijojmë politika, të cilat do t’i tërheqin investimet, që ta ndërtojmë Maqedoninë dhe ta bëjmë qendër të tërheqjes ekonomike në Ballkan. Kur e morëm detyrën për të udhequr me qeverinë, shpeshherë e përmendi faktin dhe realiteti i hidhur ishte që ekonomia ishte më gjendje serioze të disfuksionit”.
Përveç çmimeve për TOP 5 kompanitë më të suksesshme, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ndau edhe disa çmime meritore. Çmimi për Partneritet të suksesshëm iu nda kompanisë ETMT Energy, Çmimi për Filantropi Korporative iu nda kompanisë Pivara Skopje, ndërsa Çmimi për Investitorin e Vitit me mbi 8 milionë euro investime shkoi për kompaninë EURO AKTIVA. Ndërkaq Çmimi për Biznesin më të suksesshëm të udhëhequr nga Grua Afariste iu nda kompanisë Çerdhe Yjet. Gjithashtu, OEMVP nderoi edhe anëtarin e saj Ambrella Swiss Bau, me Çmimin për modelin më të suksesshëm të kthimit nga diaspora në vend, Çmimi për Top Eksportuesin me mbi 7 milionë produkte të eksportuara iu dha kompanisë Multipark Izairi, dhe për fund Çmimi për kompaninë me rritje më të shpejtë në tre vitet e fundit shkoi për kompaninë Eurovia Group.
Në këtë ngjarje tradicionale morren pjesë edhe disa nga emrat më të shquar të biznesit, Zëvendëskryeministri i parë të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, i cili edhe ndau çmimin kryesor. Po ashtu pjesë kanë marrë edhe ministra e deputetë, kryetarë komunash, përfaqësues të ambasadave, përfaqësues të organizatave dhe institucione rajonale dhe ndërkombëtare.
Samir Mustafa /SHENJA/