Ish-prifti i Kishës së Anglisë shpallet fajtor për përdhunim dhe sulme ndaj grave
Ish-prifti i Kishës së Anglisë, Chris Brain, u shpall fajtor për përdhunim dhe disa raste të sulmit të pahijshëm seksual ndaj grave të lidhura me shërbesën fetare “Nine O’Clock Service” në Sheffield, raportuan mediat të premten, transmeton Anadolu.
Brain, 69 vjeç, u shpall fajtor pas një rigjykimi në Gjykatën Penale të Inner London, raportoi BBC.
Ai u shpall gjithashtu fajtor për katër akuza për sulm të pahijshëm seksual ndaj tri grave, duke iu shtuar 17 rasteve të sulmit të pahijshëm seksual ndaj nëntë grave, për të cilat ishte shpallur fajtor në një gjyq vitin e kaluar.
Prokurorët i thanë gjykatës se Brain kishte keqpërdorur pozitën e tij si prift për të kryer sulme seksuale ndaj “një numri tronditës grash nga kongregacioni i tij”.
“Shërbesa Nine O’Clock”, e njohur si NOS, tërhoqi qindra të rinj në kishën “St Thomas’s” me shërbesa fetare të stilit të klubeve të natës.
Fillimisht u zhvillua në kishën “St Thomas’s” në Crookes, përpara se më vonë të zhvendosej në një hapësirë më të madhe në Ponds Forge, në qendër të qytetit.
Prokurori Tim Clark tha se ajo “u shndërrua në një kult”, në të cilin anëtarët inkurajoheshin të shkëputeshin nga familjarët dhe miqtë, duke u bërë “plotësisht të varur” nga Brain.
Clark tha se anëtarët jetonin me frikën se do të përjashtoheshin nëse e kundërshtonin Brain.
“Brain është një grabitqar seksual dinak dhe arrogant, i cili u ka shkaktuar dëme afatgjata këtyre grave”, tha në një deklaratë pas dënimeve të fundit të tij inspektorja Eleanor Welsh, e cila drejtoi hetimin.

