(VIDEO) TV SHENJA që para nëntë vjetëve alarmoi për Jeni Xhaminë
Televizioni Shenja para nëntë vjetëve e ka ngritur zërin për shndërrimin e Jeni Xhamisë në Manastir në Galeri të Arteve. Myftiu i atëhershëm i Manastirit Pëllumb Veliu foli lidhur me shqetësimet për fatin e Jeni Xhamisë në këtë qytet. Ai tha se në mënyrë të padrejtë dhe antiligjore shteti po bën uzurpimin e xhamisë. Ai pat thënë se uzurpimi i Jeni Xhamisë ka filluar që nga viti 1945, gjegjësisht që nga viti 1948. Sipas tij, xhamia duhet të kthehet në pronësi të BFIM-së
Pëllumb Veliu, Myftiu i Manastirit
“Në këtë periudhë deri në vitin 1970 Jeni Xhamia gjithmonë ka shërbyer si ndonjë depo për drithëra apo depo të ndryshme, derisa nuk u mor vendimi që ajo të shndërrohet në Galeri të Artit modern. Ngec problemi aty ku vendimi për kthimin e xhamisë merret në vitin në vitin 1960 kurse në vitin 1967-68 përsëri merret një vendim tjetër nga pushteti i atëhershëm dhe përsëri ‘de jure’ i merret xhamia BFI-së”.
Sipas tij, kjo situatë ka vazhduar deri në vitin 2003 dhe xhamia shërben si Galeri e Arteve edhe pse BFIM-ja gjithmonë ka reaguar dhe asnjëherë nuk është pajtuar me statusin e Jeni Xhamisë. Veliu theksoi se prej vitit 2011 e këtej gati në të gjitha materialet apo dokumentet e shkruara në komunikim ndërmjet Ministrisë së Kulturës ose Drejtorisë për mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe të Entit të për mbrojtje kulturore të Manastirit gjithmonë shkruhet Jeni Xhami – Kisha Shën Gjorgji.
Ndërsa drejtori i atëhershëm i Qendrës Kombëtare për Konservim, Mehmet Selmani pat thënë se është bërë shkelje e procedurës.
Sekretari i atëhershëm shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, kishte thënë se projekti duhet të rishikohet nga Qendra Nacionale për Konservim. Shehapi i mohoi akuzat se ai ka firmosur programin e Ministrisë së Kulturës për vitin 2011, ku është ndërruar emri i Jeni Xhamisë në Kisha Shën Gjorgji, duke u shprehur se drejtori i atëhershëm i Qendrës kombëtare për konservim nuk ka patur kompetenca të tilla ligjore.
Jeni Xhamia është ndërtuar në vitet 1552-56 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore ka funksionuar për nevojat e besimtarëve muslimanë, ndërsa menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kjo xhami është uzurpuar nga ana e shtetit të atëhershëm jugosllav komunist. /SHENJA/