(VIDEO) Tregtarët duhet t’i publikojnë çmimet e produkteve të tyre online

Nga data 18 prill çdo tregtar me mbi 10 të punësuar do të jetë i detyruar të publikojë online çmimet e produkteve që shet, nga ushqimet e deri te produktet teknike, ka deklaruar ministri I ekonomisë dhe punës Besar Durmishi. Ai tha se këtu bëjnë pjesë edhe marketet që shesin produkte ushqimore bazë, fruta dhe perime dhe tregtarët që shesin mjete për higjienë, tregtarët me pakicë të teknikës së bardhë, lodrave, produkte teknike, materialeve ndërtimore, veglave dhe aparateve elektrike, thjeshtë të gjithë tregtarët që ushtrojnë tregti me pakicë.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Në përputhje me ndryshimet ligjore dhe Rregulloren e përgatitur nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës, do të duhet të publikojnë çmimet e të gjitha produkteve në ueb faqen e tyre duke filluar nga data 18 prill. Në përputhje me Rregulloren e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës,tregtatari I vogël, i mesëm dhe i madh që ushtron veprimtari tregtare është i detyruar të publikojë çmimet e mallrave që hedh në treg në ueb faqen e tij në mënyrë të qartë dhe të arritshme, përmes një pjese të veçantë në ueb faqen e tregtarit me pakicë kushtuar çmimeve, përkatësisht Listës së çmimeve”.
Durmishi tha se inflacioni për muajin mars ka rënë në 2.7%, ndërsa është regjistruar deflacion prej 1.3% krahasuar me muajin shkurt. Ai thotë se këto janë shenja të qarta se masat që kanë ndërmarrë po japin efekt.
BESAR DURMISHI, MINISTËR I EKONOMISË
“Si rezultat i masave të miratuara që nga fillimi i vitit, pra kufizimit të marzhave të produkteve ushqimore bazë dhe një pjese të mjeteve për higjienë, në muajin mars kemi ulje të inflacionit prej 2,7%, derisa në muajin mars në krahasim me muajin shkurt kemi një deflacion prej 1.3%, sipas të dhënave nga Enti Shtetëror I Statistikave”.
Durmishi tha se me publikimin e çmimeve nga ana e tregtarëve qytetarët do të kenë më shumë informacion, më shumë kontroll dhe mundësi për të kursyer. “Ky është një hap i rëndësishëm drejt një tregu të ndershëm dhe në mbështetje të buxhetit familjar”, theksoi ai.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/