(VIDEO) Tragjedia në Koçan, autopsia tregoi se të 59 të ndjerët vdiqën nga ngulfatja

Shkaku i vdekjes së 59 personave nga zjarri në Koçan ka qenë ngulfatja, ka deklaruar drejtori i institutit të mjekësisë ligjore, Aleksandar Stankov, duke u bazuar në rezultatet e autopsisë të të gjitha trupave të pa jetë. Ai tha se autopsia ka filluar menjëherë në natën e 16 marsit dhe ka përfunduar më 18 mars.
ALEKSANDAR STANKOV, DREJTOR I INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE
“Është konstatuar se të gjithë të vdekurit e kanë humbur jetën në mënyrë të dhunshme nga ngulfatja e shkaktuar drejtpërdrejtë nga zjarri. Tek disa prej tyre janë konstatuar djegie të shkallës së parë dhe të dytë, ndërsa tek tre persona djegie të shkallës së katërt. Në periudhën e ardhshme, gjatë muajit mars, presim të përfundojnë të gjitha raportet lidhur me autopsitë. Mund të na duhet më shumë kohë për të kryer analiza toksikologjike dhe çdo gjetje tjetër do ta dorëzojmë në prokurori”.
Ai theksoi se për autopsinë kanë shfrytëzuar dy mënyra, identifikimin me anë të ADN-së dhe gjurmët e gishtërinjve. Duke iu referuar gazit që kanë thithur të vdekurit si pasojë e zjarrit Stankov tha se ai është një gaz shumë i rrezikshem dhe se vdekja prej tij mund të ndodh shumë shpejt.
ALEKSANDAR STANKOV, DREJTOR I INSTITUTIT TË MJEKËSISË LIGJORE
“Tani jemi duke bërë analiza toksikologjike për të përcaktuar se çfarë është e pranishme në gjak, por sipas gjetjeve makroskopike gjatë autopsisë, shumica e tyre kishin thithur monoksid karboni. Monoksidi i karbonit është një gaz shumë i rrezikshëm, pa erë, pa shije që vepron në sistemin nervor qendror dhe i paaftëson viktimat, pas së cilës vdekja mund të ndodhë shumë shpejt, në varësi të disa minutave”.
I pyetur lidhur me pakënaqësitë e familjeve të të njderëve për autopsinë ai tha se nuk mund të bëhen identifikime dhe të përcaktohet shkaku i vdekjes vetëm me kontrolle, pasi që duhet bërë autopsi e plotë dhe identifikim pozitiv, për paraqitje të denjë në gjykatë dhe për një proces të plotë ligjor.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/