(VIDEO) Thirrje raciste në Kumanovë, reagon opozita shqiptare dhe zv/ministrat shqiptarë

Kampi politik shqiptar ka reaguar ndaj thirrjeve raciste dhe ksenofobe të tifozëve maqedonas ndaj shqiptarëve, gjatë ndeshjes së parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e cila u zhvillua në Kumanovë. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë thënë se, këto akte janë një alarm i madh për demokracinë, për bashkëjetesën dhe për sigurinë e qytetarëve në këtë vend. Ata kanë kërkuar hetim urgjent të incidentit nga MPB dhe Prokuroria Publike, sanksione ndaj organizatorëve dhe distancim publik nga Qeveria dhe çdo përfaqësues që ishte prezent.
Bashkimi Demokratik për Integrim
“’Shqiptar i mirë është shqiptari i vdekur’, ‘Dhoma e gazit për shqiptarët’, ‘Maqedoni e pastër’ – janë thirrje që na rikthejnë në epoka të errëta të historisë evropiane, dhe të cilat nuk mund të relativizohen, nuk mund të heshtën dhe nuk mund të tolerohen. Ajo që është edhe më shqetësuese dhe më e neveritshme është heshtja e organizatorëve, e Federatës së Basketbollit, e MPB-së, e Komunës së Kumanovës, e Qeverisë dhe e çdo përfaqësuesi të pranishëm në atë tribunë të ndotur nga urrejtja”.
Aleaca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka shkruar se, mosreagimi i institucioneve është skandaloz dhe përbën bashkëpërgjegjësi morale dhe politike.
ASH E TARAVARIT
“Aleanca për Shqiptarët kërkon reaksion të qartë dhe të prerë nga Qeveria, Federata e Basketbollit dhe organizatorët e ndeshjes, kërkim falje publike ndaj qytetarëve shqiptarë për këtë incident turpërues, hetim të pavarur dhe ndëshkim penal për organizatorët dhe nxitësit e urrejtjes në tribunat sportive, por edhe ndërhyrje nga institucionet ndërkombëtare, përfshirë OSBE-në, BE-në dhe organizatat për të drejtat e njeriut, për të monitoruar përhapjen e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut”.
Ndërsa sipas Aleancës për Shqiptarët, krahut të Ziadin Selës, heshtja e zyrtarëve të pranishëm gjatë kësaj ngjarje dhe institucioneve shtetërore është përkrahje e hapur për gjuhën e urrejtjes dhe retorikën antishqiptare në shtet.
ASH E SELËS
“Thirrjet e mbrëmshme janë në sinkronizim me veprimet e Qeverisë, me retorikën politike të estabilishmentit dhe veprimet konkrete për degradimin e shqiptarëve në vend. Ndërkaq heshtja e mbrëmshme dhe reagimet post-festum të qeveritarëve shqiptarë, janë vetëm relativizime, arsyetime dhe justifikime nga të zakonshmet”
Ndaj kësaj ngjarje kanë reaguar edhe përfaqësuesit shqiptar në Qeveri. Zv/kryeministri Izet Mexhiti, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se, fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë.
Izet Mexhiti, Zëvendëskryeministër
“Ato përbëjnë një sulm ndaj bashkëjetesës, dhe barazisë që e bëjnë Maqedoninë e Veriut unike. Maqedonia e Veriut është shtet i përbashkët për të gjithë: maqedonas, shqiptarë, turq, romë, vllahë, boshnjakë e të tjerë. Të gjithë kontribuojmë për këtë vend. Të gjithë meritojmë respekt”.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri Arben Fetai ka thënë se, ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht se nga cila palë vjen, nuk ka vend në stadiumet dhe shoqërinë tonë.
Arben Fetai, zëvendëskryeministër
“U bëj thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe organeve drejtuese të ndërmarrin veprime të vendosura për të çrrënjosur këtë turp. Heshtja ose mosveprimi vetëm ushqejnë urrejtjen. Si shtet, ne duhet të promovojmë gjithëpërfshirjen dhe respektin në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë sportin”.
Thirrjet raciste dhe gjuha e urrejtjes nga ana e tifozëve shqiptarë në ndeshje të sporteve të ndryshme në vend është një praktikë e përsëritur. Por, në shumicën e rasteve ajo ka kaluar pa ndëshkim institucional.
Teuta Buçi /SHENJA/