(VIDEO) Tetovë, vazhdon gjykimi i djegies së spitalit modular

(VIDEO) Tetovë, vazhdon gjykimi i djegies së spitalit modular

Ishim në vend në objektin modular, por për shkak të djegies së plotë të objektit, fatkeqësisht nuk kemi mundur të bëjmë kontroll, deklaroi eksperti Vllatko Stoilkov nga Fakulteti Elektroteknik i Shkupit, lidhur  me djegien e spitalit modular të Tetovës. Sipas deklaratës së tij që e dha sot në seancën gjyqësore për rastin e spitalit modular të Tetovës në të cilin u dogjën të gjallë 14 pacientë, furnizimi me energji elektrike për spitalin modular ishte në përputhje me projektin.

VLLATKO STOILKOV, EKSPERT

“Furnizimi me energji elektrike ka qenë në përputhje me rregulloren. Sa i përket instalimit, nuk kemi mundur ta bëjmë kontrollin në vend në vetë spitalin modular në Tetovë sepse është djegur plotësisht. Kemi inspektuar dy spitale të tjera modulare në Gostivar dhe Kavadar, në të cilët kemi kontrolluar nëse pajisjet përputhen me projektin dhe kemi konstatuar se spitalet modulare janë ndërtuar në përputhje me ligjin”.

Në seancë deklaratat e tyre kanë dhënë dy infermiere, të cilat në cilësinë e dëshmitarëve janë thirrur nga avokatët e të akuzuarit të tretë, mjekut Boban Vuçevski. “Nuk mund t’ju them se kush ishte ndërtuesi i spitalit modular. Kryeinfermierja më thirri dhe më tha që do të punësohem në spitalin modular. Kisha vënë re aparate zjarrfikëse dhe në derën e hyrjes së modularit ishte shkruar hyrja e ndaluar”, tha njëra nga infermieret.

Seanca e radhës është caktuar për 6 prill, në të cilën do të dëshmojnë dëshmitarët e mbrojtjes. Në rastin e spitalit modular, Prokuroria e Tetovës ka akuzuar dy ish-drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi për veprën penale të krimeve të rënda kundër sigurisë publike dhe mjekun Boban Vuçevski për veprën penale të mosveprimit sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë, ndërsa personi juridik Spitali klinik Tetovë me veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mos respektim të rregullave shëndetësore gjatë epidemisë. Zjarri në spitalin modular në Tetovë ndodhi më 8 shtator të vitit 2021 kur humbën jetën 14 persona, ndërsa dhjetëra të tjerë u lënduan.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING