(VIDEO) Tërhiqet ligji që detyronte nxënësit të këndojnë himnin maqedonas, partitë shqiptare në garë për meritat

(VIDEO) Tërhiqet ligji që detyronte nxënësit të këndojnë himnin maqedonas, partitë shqiptare në garë për meritat

Qeveria e ka tërhequr propozim ligjin për arsim të mesëm, ligjë ky i cili parashikonte që gjatë shënimit të patronatit, fillimit dhe përfundimit të vitit shkollor,  në shkollat e mesme të intonohet himni i shtetit. Ndërkaq, ligji i stopua, por filloi  gara e  partive politike shqiptare se kujt i takojnë meritat. Nga Koaliconi VLEN, pjesë e qeverisë theksojnë se ata e kanë stopuar  ligjin.

VLEN

“Pas parashtrimit te amandamenteve nga ana e koalicionit VLEN, qeveria e tërhoqi ligjin për arsim të mesëm. U dëshmua edhe njëherë se faktori kyç që është garantues i interesave shqiptare është vetëm VLEN. Ne vepruam ashtu si na ka hije. Pa zë dhe pa zhurmë. Në lexim të parë dhamë porosinë duke mos e votuar aspak, ndërsa kur duhej, parashtruam amandamente.  Si rezultat kemi tërheqjen e ligjit nga ana e qeverisë”.

Reaguan edhe nga partia opozitare BDI, të cilët deklarojnë se kjo është fitore e popullit. Koridinatori i grupit parlamentarë të Frontit Europian, Blerim Bexheti, thotë se ligji u tërhoq falë reagimit të popullit.

BLERIM BEXHETI, DEPUTET I BDI-SË

“Propozimi për ligjin për shkollim të mesëm nuk u tërhoq nga dëshira e qeveritarëve pa legjitimitet etnik por u tërhoq falë reagimit të fuqishëm  të popullit. Ky është një shembull i qartë i asaj se çfarë mund të arrihet kur zëri i qytetarëve dëgjohet në Kuvend dhe kur ne qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona”.

Bexheti thotë se Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, respekti i ndërsjellë dhe barazia midis shqiptarëve dhe maqedonasve janë gurëthemeli për stabilitet, siguri dhe një të ardhme të qëndrueshme,ndërsa shtoi se cënimi i Marrëveshjes së Ohrit nga Qeveria është i papranueshëm!

Kujtojmë se Ministrja e arsimit dhe shkencës, Vesna Janevska ditë më parë duke e thirrur në propozim ligjin në fjalë, tha se të gjithë që jetojnë dhe veprojnë në këtë shtet duhet t’i respektojnë simbolet kombëtare të këtij shteti.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING