(VIDEO) Temperaturat ekstreme, mjekët apel për kujdes, qeveria me masa lehtësuese

Në vend ka filluar vala e të nxehtit. Temperaturat  të mërkurën dhe ditëve në vijim do të arrijnë deri në 40 gradë celsius. Sipas parashikimit të entit hidrometeorologjik, do të jetë veçanërisht vapë ditën e enjte dhe të premte kur do të aktivizohet edhe niveli I fazës portokalli i rrezikut nga temperaturat e larta.

Mjekët rekomandojnë që në periudhën nga ora 10 deri në 17 të shmangen daljet jashtë, qytetarët t’i kryejnë punët  e nevojshme para orës 10 ose pas orës 17, si dhe të respektohen rekomandimet e Qendrës për Shëndet Publik. Këto përfshijnë veshjen e rrobave me ngjyra të hapura, dush disa herë në ditë, pirje të shumtë të ujit, shmangien e ushqimeve me yndyrë dhe ngrënien më pak, shmangien e aktivitetit të rëndë fizik dhe daljen në diell. Gjatë qëndrimit në hapësirë të hapur, të shmanget shfaqja e drejtpërdrejtë në diell, me pushime të shpeshta nën hije.

Për ngasësit e automjeve rekomandohet të lihet dritarja e hapur, që të mundësohet ventilimi i ajrit. Automjetet tërësisht të mbyllura bëhen shumë të ngrohta. “Mos lini askënd në automjet”, rekomandojnë nga Qendra për Shëndet Publik.

Të sëmurët kronikë, posaçërisht ata me sëmundje të zemrës, me sëmundje neurologjike dhe të mushkërive, nevojitet të jenë shumë të disiplinuar lidhur me këto rekomandime dhe rregullisht ta marrin terapinë e tyre. Për secilin ndryshim të gjendjes shëndetësore, patjetër të konsultohen me mjekun amë.

Rekomandohen konsultime me mjek nëse ndjehen simptoma të pazakonta që zgjasin kohë më të gjatë.”Nëse ndiheni të dobët, në ankth ose etje të madhe dhe kokë dhembje, kërkoni ndihmë, vendosuni në vend më të ftohtë, sa më shpejtë, dhe mateni temperaturën trupore. Menjëherë pini ujë ose pije të pagazuar minerale për t’u rihidratuar. Nëse keni ngërçe të dhimbshme në muskujt e këmbëve, krahëve dhe stomakut, pushoni sa më shpejt në një vend më të freskët dhe pini lëngje që përmbajnë elektrolite. Ndihma mjekësore nevojitet nëse ngërçet zgjasin më shumë se një orë”, thuhet në rekomandim.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

 

MARKETING