(VIDEO) Të rinjtë, shpirti i Çarshisë së Shkupit

Në zemër të Çarshisë së Shkupit, përtej gurëve të vjetër dhe rrugicave me histori, po mbizotërojnë idetë e të rinjve që kanë vendosur t’i japin një frymë moderne traditës. Biznese të reja, lokale me stil unik dhe shumë pasion, një mozaik ku modernja ndërlidhet me tradicionalen. Disa prej këtyre të rinjve ndanë me Tv Shenja rrugëtimin e tyre – nga ideja fillestare deri tek hapja e lokalit, sfidat që përballuan, mbështetjen që morën dhe veçantinë që përpiqen të sjellin çdo ditë.
MARKETING
Pronari i kafenesë “Cherry”, Omer Matoshi, tregoi se kjo rrugicë më parë ka qenë e mbushur me zanatlinjë dhe se prindi i tij posedonte një objekt, në ndërkohë, në momentet që artizanatet filluan që të shuhen ai theksoi se filloi krijimi lokaleve e aq më shumë një mundësi për të, për të ndërmarë një përgjegjësi, pasiqë siç tha ai, dëshira për të punuar që në rini ka qenë gjithmonë prezente për të. Matoshi tha se lokali i tij frekuentohet më së shumë nga grupmosha të reja, nga ku vlerëson se i tërheq dekori dhe pijet speciale që ata kanë.
Omer Matoshi, pronari i kafes Cherry
“Ne në këtë lokal jemi shumë moti, këtu prindi im ka punuar me zanat. Kjo lagje ka qenë e gjitha me zanatli. Me kohë filloj që zanati të humbet dhe kjo rrugë filloj të mos jetë e lëvizshme fare, dhe ngadal ngadalë pas një kohe filluan që të hapen lokale të reja të gjithë me kafiqa dhe lindi ideja, përderisa e kam mundësinë pse të mos të rrezikoj edhe un me provu me kshyr qysh po më ec. Në fillim kur e mora guximin për të thënë që dua ta hap lokalin tim, prindërit e mi, familjarët e mi, më kanë mbështetur sepse, prej shumë i ri kam dashur ta provoj me punu për vete. Këtu klienta kemi shumë rini dhe më së shumti që ju ka pëlqyer klientëve është hëna mbrapa që e kemi. Edhe kafet që i bëjmë, specialitetet e tona. E di që është tepër shumë vështirë, por ja vlen për ta marrë guximin dhe me rreziku me provu secili, me arritë në jetë diçka më shumë se sa ajo që e kanë”.
Në ndërohë, pronari i kafenesë “Mon frere”, Argjend Memishi, tha se kanë qenë në dijeni të asaj rrugice moti kohë dhe se kanë parë potencial aty për ta kthyer një objekt në atë vend në një kafe atraktive. Memishi theksoi se prioritet për ta janë klientët, dhe beson se një ndër arsyet e suksesit të tij është përkujdesi dhe shërbimi ndaj tyre dhe risitë që ata sjellin. Ndërkaq ai përcjell një mesazh kundrejt të gjithë atyre që duan të ndërmarin hapa për të hapur bizneset e tyre por nuk kanë guxim të mjaftueshëm, pavarësisht të gjithave le të rrezikojnë sepse me punë dhe përkushtim arrihet gjithçka.
Argjend Memishi, pronari i kafenesë “Mon frere”
“Ideja, ideja ka qenë aty, e kemi punuar këtë punë goxha moti kohë, edhe këtë rrugë e kemi ditur, kur e kemi parë që ka pasur potncial. Kemi marrë një hap për të bërë diçka më interesant. Rrealizimi i idesë, ka pas punë normal, sakrifica. I ka pasur ato shkallët ndonjëherë më poshtë ndonjëherë më lart, derisa tu arrit këtu. Mbështetjen kryesore e kemi pas familjen, shoqërinë. Kemi pasur mbështetjen e duhur prej njerëzve të duhur. Kisha thënë shërbimi që ua bëjmë klientëve sepse prioriteti jonë kryesorë është çdo myshteri, çdo klient që vjen këtu të jetë i kënaqur. Pastaj kemi disa kafe speciale, koktella që i kemi bërë ne, kemi ardhë me një risi këtu, qajo besoj. Vështirësi ka në çdo gjë, por kisha thënë që nuk ke çfarë humbet, rreziko. Nuk ka, me përkushtim me gjithçka e arrin”.
Edhe pse e huaj dhe në moshë të re, prej Bodrumit në Maqedoninë e Veriut, Elif Ullaj, ka gjetur mbështetje për t’i ndjekur ëndrat e saj tek kafeja Rattle Trap, me pronaren zonjën Ozlem Sybyl, për të cilën tha se e konsideron si motër dhe arrijnë që të koordinohen për gjithçka që të arijnë për ti dhënë ngjyrë dhe gjallëri kafesë në atë zonë edhe krahas vështirësive që hasin me lejet e qëndrimit dhe gjuhën. Krahas punës, ajo vazhdon edhe studimet, një histori frymëzuese që tregon se gjithçka është e mundur kur ka vullnet.
Elif Ullaj, afarist nga Turqia
“Unë jam Elif Ullaj vij nga Turqia jam 18 vjeçare kam ardhur bashk me familjen, tek kjo kafeteri punoj me motren Ozlem jemi si dy motra. Tani do të bëj studime. Po edhe punoj këtu. Nuk është e zorshme i bëjmë oraret e duhura dhe nuk kemi probleme as me Zonjen Ozlem (pronarja e kafes) dmth konsultohemi me motren Ozlem dhe gjithcka rregullohet . Kemi te drejt vetem 90 ditë të qëndrojm, ajo është pak e zorshme por me punen nuk kam probleme ose vështirësi, idetë ose dekorimet e kafeterisë i vendos me se shumti Motra Ozlem dmth ajo vendos ne fund por na pyet mer ideja edhe prej neve se si do dukej ky dekori ketu ose si ta bëjm me muret. Mundohemi t’i bëjmë gjithë gjërat bashk, punojmë dy vajza turqelike edhe një shqiptar. Klientet me se shumti vijnë edhe prej vendit por me shumë turistë, disa ditë më parë kemi pasur një kliente nga Kolombia po kemi edhe shumë student turk”
Në një kohë kur shumë të rinj përballen me pasiguri për të ardhmen, këta të rinj në zemër të Çarshisë së Shkupit janë një shembull për të treguar se si guximi, kreativiteti dhe dashuria për punën mund të krijojnë hapësira që i japin jetë qytetit dhe shpresë brezave të rinj. Ata nuk kanë ndërtuar vetëm biznese, por kanë rikthyer edhe shpirtin e një lagjeje që dikur njihej për mjeshtëritë e saj. Me përkushtim dhe ide të freskëta, tregojnë se tradita dhe moderniteti mund të ecin bashkë – nëse ka vullnet dhe vizion. Anida Murati /SHENJA/