(VIDEO) Të prekurit nga kanceri 10 ditë pa terapi, ministri dhe drejtori i fondit: Këtë javë do të ketë ilaçe
Ministri i shëndetësisë Arben Taravi deklaroi se terapia biologjike në klinikën e onkologjisë do të sigurohet gjatë kësaj jave. Ai tha se ilaçe të tjera ka dhe nuk mungojnë dhe theksoi se terapia biologjike ka munguar vetëm 1 javë për shkak të kërkesës së madhe nga pacientët.
ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË
“Nuk është e vërtetë se nuk ka barna, ka barna për pacientët onkologjik, por ka munguar vetëm një javë terapia biologjike. Dua të informoj opinionin se terapia biologjike këtë periudhë është dhënë shumë më shumë se më përpara por kërkesat prej pacientëve janë shumë më të mëdhaja, prandaj kemi bërë edhe protokolle ku duhet të jepet terapia biologjike. Prej kësaj jave përsëri do të rikthehet terapia biologjike, por dua të përsëris se ilaçe kanë pacientët por nuk e kanë vetëm terapinë biologjike”.
Edhe drejtori i Fondit për Shëndetësi Sasho Klekovski tha se ilaçet për terapinë biologjike do të vijnë së shpejti. Ai tha se një pjesë e ilaçeve do të sigurohet me donacione.
SASHO KLEKOVSKI: DREJTOR I FONDIT SHËNDETËSOR
“Një pjesë e ilaçeve do të mbulohen nga donacionet që do të sigurohen gjatë kësaj jave. Ilaçet janë në vend dhe në magazinë dhe disa prej tyre do të jenë me aneks në marrëveshje. Aktualisht po punohet për të formuar të gjithë planin, duke filluar nga diagnostifikimi. Besoj se me përmirësimin e regjistrit të pacientëve gjendja do të stabilizohet”.
Pacientët nga klinika e onkologjisë prej disa ditësh ankohen për mungesë të terapisë biologjike.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/