(VIDEO) Taravari: Mund të hyjmë në Qeveri me marrëveshje të re, Mickoski ia rikujton ”Gjoka”-n

(VIDEO) Taravari: Mund të hyjmë në Qeveri me marrëveshje të re, Mickoski ia rikujton ”Gjoka”-n

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari nuk e përjashton mundësinë që ASH të bëhet pjesë e qeverisë, por siç tha, vetëm me një marrëveshje të re, në të kundërtën ai tha se është nënçmuese të hyet aty prej ku ke dalë. E,  për tu bërë pjesë e qeverisë, Taravari në emisionin “Debat në Shenja” shpalosi disa kushte. Ai kërkon garanca për fillimin e negociatave me BE-në dhe votimi i ndryshimeve kushtetuese.

ARBEN TARAVARI, KRYETAR I ASH-SË

“Vetëm se me një marrëveshje të re në të cilat do të kishte së paku garanca për fillimin e negociatave me BE-në dhe ndryshimet kushtetuese ne atë rast edhe mund të diskutohet….Në të kundërtën nuk ka se çfarë të diskutohet”.

Ndërkaq, kërkesën e Taravarit e ka komentuar numri një i qeverisë, Hristijan Mickoski, i cili në një përgjigjë në formë të cinizmit tha se garanci më të madhe për rrugën euroatlantike sesa prishja e kontratës me Gjokën nuk ka.

 HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR

“Garanci më të madhe për rrugën euroatlantike sesa prishja e kontratës me ‘Gjokën’ nuk ka.  Gjëra të tilla nuk bisedohen përmes mediave”.

Kujtojmë se Arben Taravari ishte një nga figurat kryesore të koalicionit VLEN. Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare, ai si nikoqir priti në selinë e VLEN-it kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili në atë periudhë konsiderohej favorit për fitore. Takimi u shoqërua me publikimin e një fotografie në rrjetet sociale, e cila u interpretua si një sinjal i qartë për bashkëpunimin e ardhshëm mes dy blloqeve politike. Pas zgjedhjeve, VLEN u bë pjesë e qeverisë së re, ndërsa Taravari mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithatë, pas mospajtimeve politike brenda koalicionit qeverisës, ai u largua fillimisht nga VLEN-i e më pas edhe nga ekzekutivi dhe kaloi në opozitë, ku në zgjedhjet e fundit lokale bashkëpunojë me Bashkimin Demokratik për Integrim.

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING