(VIDEO) Taravari dhe Fronti Europian përplasen për heqjen e shqiptarëve nga puna

(VIDEO) Taravari dhe Fronti Europian përplasen për heqjen e shqiptarëve nga puna

Ministri i shëndetësisë Arben Taravari përmes një postimi në profilin e tij në FB ka reaguar rreth largimit masiv të shqiptarëve nga puna duke akuzuar ish partitë në pushtet se i kanë mbajtur me kontrata dhe se tani më ka kaluar koha e punësimeve etnike.

ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Një nga fenomenet më të shëmtuara të regjimit që iku, ishin të famshmet Kontrata! Duke përdorur varfërinë e njerëzve, ata i joshën me këto marrëveshje të shëmtuara gjoja pune, duke i instruktuar madje që as mos të paraqiteshin fare në vendin e punës.  Kjo masakër dhe tallje me dinjitetin e njerëzve, ky implikim direkt në krim pasiv, është nga më mizorët që ky grup kriminal ka bërë”.

Taravari shkruan se duke i kërkuar vota si shkëmbim,  duke i premtuar që kontratat 6 mujore, pas zgjedhjeve do të ktheheshin në “vendime” pune, ata luajtën pa asnjë skrupull dhe me dinjitetin e njerëzve.  Sipas tij nëse sot ka 10 kontrata të ndërprera, nëpërmjet konkurseve dhe aftësive ne kemi pranuar 60 të punësuar të rinj.

ARBEN TARAVARI, MINISTËR I SHËNDETËSISË

“Dhe sa për këtë ndarjen etnike gjoja në punësime, nuk kam dashur të flas sepse mendoj se tani ka ikur koha e vjetër ku njerëzit dalloheshin etnikisht. Por nëse kjo ndihmon deklaroj se kemi punësuar shumë shqiptarë dhe do të punësojmë edhe më shumë!”.

Pas postimit të Taravarit ka reaguar Fronti Europian, I cili e akuzon Taravarin se është në vijë me Mickoskin, Stoilkoviçin dhe Dimitrievskin kundër përfaqësimit të drejtë.

FRONTI EUROPIAN

“Për herë të parë nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një politikan që i thotë vetes shqiptar del publikisht kundër përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në administratën publike dhe shtetërore”.

Arben Taravari në postimin e tij në Facebook thotë se ka ikur koha kur njerëzit dalloheshin në baza etnike gjatë punësimeve, duke tentuar të arsyetojë ndërperjen e kontratave dhe largimin e qindra shqiptarëve nga institucionet shtetërore”.

Sipas Frontit Europian, Arben Taravari në vend që të ndalojnë hovin e VMRO-së dhe ZNAM-it për deshqiptarizimin e shtetit, ai merr rolin e argatit dhe arsyeton veprimet e tilla antishqiptare. Fronti Europian kërkon publikisht nga përfaqësuesit e tjerë të koalicionit vLEN që të deklarohen, a pajtohen me qëndrimin e Taravarit apo distancohen prej tij? /SHENJA/

 

MARKETING