(VIDEO) Talat Xhaferi, kryeministri i tretë teknik pas Dimitrievskit dhe Spasovskit
Talat Xhaferi, do të jetë kryeministri i tretë teknik në vend, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Përzhinos, në vitin 2015.
Qeveria e parë teknike u caktua më 18 janar të vitit 2016, me qëllimin që zgjedhjet të mbaheshin më 24 prill të të njejtit vit. Për kryeministër të parë teknik u caktua Emil Dimitriev nga VMRO-DPMNE, i cili do të zëvendësonte kryeministrin e atëhershëm Nikolla Gruevskin. Mirëpo zgjedhjet e caktuara për më 24 prill u shtyn fillimisht për në qershor dhe më pas në dhjetor të të njejtit vit, pastaj në maj u ndërpre mandati i Qeverisë teknike dhe u kthye Qeveria teknike paraprake. Pjesa e dytë e mandatit të Qeverisë së Përzhinos u rikthye në skenën politike përsëri më 2 shtator 2016, sërisht kryeministër teknik u bë Emil Dimitriev. Zgjedhjet u mbajtën më 11 dhjetor 2016, dhe më 29 dhjetor KSHZ i shpalli zgjedhjet të përfunduara, pasi ministrave dhe zëvendës ministrave të opozitës së atëhershëm ju përfundoi mandati, kurse Dimitriev qëndroi në krye të Qeverisë deri më 1 qershor 2017, kur u formua Qeveria politike.
Një model tjetër i Qeverisë teknike u caktua në kohën e pandemisë në vitin 2020, për zgjedhjet parlamentare, të cilat fillimisht u caktuan më 12 prill të atij viti. Për kryeministër teknik, më 3 janar 2020 u votua Oliver Spasovski, pozicion që deri atëherë e mbante kryetari i LSDM-së Zoran Zaev. Pandemia e koronavirusit, kërkoi intervenim politik për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, për Qeverinë teknike me kompetenca të kufizuara që të mund të silleshin vendime me vlefshmëri ligjore. Zgjedhjet sërisht u prolonguan për më 20 korrik, pra në vend të 100 ditëve, Qeveria teknike zgjati pothuajse dyfish më gjatë, rreth 7 muaj.
Para se të caktohej Qeveria teknike e treta me radhë, partitë ishin të ndara në mendime nëse të ketë sërisht Qeveri teknike ose jo.
Përndryshe, Marrëveshja e Përzhinos ishte nënshkruar në vitin 2015 mes 4 partive që atëkohë ishin më të mëdha ne vend, VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së. Kompetencat e kryeministrit teknik janë të kufizuara, teknike, dhe si Qeveri teknike do të jetë e obliguar për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve të dyfishta që do të mbahen më 24 prill dhe 8 maj.
Emine Ismaili /SHENJA/