(VIDEO) SYRIZA për deklaratën e Mickoski: Dënojmë shkeljen e re provokuese të Marrëveshjes së Prespës
SYRIZA dënon kategorikisht shkeljen e re provokuese të Marrëveshjes së Prespës nga kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski dhe i bëjmë thirrje që përfundimisht të respektojë të drejtën ndërkombëtare.
Partia opozitare greke ia rikujton Mickoskit parimin e së drejtës ndërkombëtare -marrëveshjet janë të detyrueshme dhe duhet të respektohen-, si dhe sanksionet e parapara që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare në shkelje të vazhdueshme të Marrëveshjes së Prespës.
Në ndërkohë, rikujtojnë që Marrëveshja është parakusht për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe në po të njëjtën kohë bëjnë apel, por edhe kritikojnë qeverinë aktuale greke.
SYRIZA, partia opozitare greke
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Micotakis që të ndërmarrë veprimet e nevojshme siç parashikon Marrëveshja e Prespës dhe të ndërkombëtarizojë menjëherë çështjen me të cilën lidershipi i ri i Maqedonisë së Veriut do të përballet me përgjegjësitë e veta para bashkësisë ndërkombëtare në rast se vazhdon të shkelë Marrëveshjen”
Nga SYRIZA madje thonë se Qeveria e Demokracisë së Re mban përgjegjësi edhe për “politikën e saj të jashtme të papërgjegjshme”, pasi siç theksojnë ata, nuk ka bërë asgjë në disa fusha si ratifikimi i memorandumeve dhe thirrja e Këshillit të Lartë për bashkëpunim.
Sipas SYRIZA-s qeveria nuk ushtroi presion për të garantuar se Maqedonia e Veriut do të zbatojë detyrimet e saj në lidhje me tekstet shkollore, markat tregtare, pasaportat dhe targat e regjistrimit.
“Është vërtet për të ardhur keq që Marrëveshja e arritur nga forcat progresive në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut, e cila është një monument bashkëpunimi dhe mirëkuptimi për të gjithë Europën Juglindore, vihet në pikëpyetje nga dy partitë simotra në PPE, për të tërhequr audiencën nacionaliste, një taktikë që kalimi i kohës ushqeu urrejtjen mes popujve ballkanikë”, informon SYRIZA.
/SHENJA/