(VIDEO) Spiropali: Cenimi i shqipes në çfarëdo forme, prek identitetin e shqiptarëve

(VIDEO) Spiropali: Cenimi i shqipes në çfarëdo forme, prek identitetin e shqiptarëve

Në Shqipëri ka një vëmendje të posaçme për gjithë zhvillimet në Maqedoninë e Veriut. Kështu u shpreh kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, Elisa Spiropali e cila po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë. Ajo tha se shpreson që të zbatohet plotësisht ligji i gjuhëve, duke shtuar se cenimi i gjuhës shqipe në çfarëdo forme, cenon identitetin e shqiptarëve, duke shtuar se shpreson që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, të jetë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Elisa Spiropali, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë

Njëlloj siç jemi të interesuar, presim me besim dhe shpresojmë që të zbatohet plotësisht Ligji për Gjuhët. Gjuha shqipe, së paku për ne shqiptarët është e shenjtë dhe ajo ka të bëjë me thelbin e identitetit tonë. Cënimi i saj në çdo formë, padyshim dhemb shumë dhe cënon pikërisht këtë identitet që ne e afrojmë në këtë botë të madhe, në rajon e përtej, si vlerën tonë”.

Spiropali përmendi edhe korridorin VIII, për të cilin tha se është një ëndërr e shqiptarëve të Shqipërisë dhe e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe mezi pret që rruga Tiranë-Shkup dhe anasjelltas të përshkohet nëpërmjet këtij Korridori.

Kurse kryetari i Kuvendi Afrim Gashi u shpreh se ndër prioritet e kësaj Qeverie është thellimi i bashkëpunimit ekonomik përmes promovimit të potencialeve ekonomike dhe realizimin e projekteve infrastrukturore, duke përmendur korridorin VIII.

Afrim Gashi, kryetar Kuvendi

Ndërtimi i rrugëve, lidhjeve energjetike dhe hekurudhore ndërmjet dy vendeve tona në kuadër të Korridorit VIII duhet të vazhdojë gjithashtu me synimin për një shkëmbim më të madh të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve për të cilat ka një potencial të madh”.

Spiropali gjatë vizitës zyrtare takime të shkurta mbajti edhe me kryetarët e partve opozitare, me kryetarin e BDI-së Ali Ahmetin dhe ish kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin, dhe me kryetarin e LSDM-së Venko Filipçe. Ndërsa është takuar edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski. Vizitë i ka bërë edhe shtëpisë së “Nënë Terezës” në Shkup, ndërsa gjatë pasdites do të jetë në Manastir, në Muzeun e Kongresit të Manastirit.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING