(VIDEO) Sot testi i dytë ekstern për maturantët, anglishtja më e preferuar për ta

(VIDEO) Sot testi i dytë ekstern për maturantët, anglishtja më e preferuar për ta

Rreth 15 mijë maturant sot, kanë hyrë në testimin e dytë ekstern nga provimi shtetëror i maturës. Numri më i madh i kandidatëve të regjistruar është për testimin e gjuhës angleze, rreth 13.198. Në provimin e matematikës 1.356 maturant, për gjuhën gjermane 114, për gjuhën franceze 84 maturantë, ndërsa për provimin e gjuhës ruse dhe të filozofis ka nga një kandidat.

Ndërkaq të shtunën e kaluar, maturantët iu nënshtruan provimit të parë ekstern të detyrueshëm- Gjuhë amtare, në gjuhën maqedone, shqip, turqisht si dhe në letërsi.

Qendra Shtetërore e Provimeve do të shpallë rezultatet e dy provimeve eksterne brenda datës 8 korrik. Deri atëherë duhet të ketë vendim nga komisionet e Qendrës Shtetërore të Provimeve për anulimin e testeve për provimin e parë dhe të dytë ekstern nëse konstatohen shkelje të rregullave të vetë provimit ose nëse konstatohen parregullsi, gjegjësisht kopjime gjatë notimit të testeve. Drejtoresha e këtij institucioni, Biljana Mihajlovska, tha se përveç komisionit që propozon anulimin e provimit për kandidatët për të cilët është konstatuar se kanë bërë ndonjë shkelje gjatë provimit, këtë vit do të formohen dhjetë komisione për secilin nga dhjetë lëndët e përfshira në provimin e maturës shtetërore, të cilët në bazë të dëshmive të notave gjatë vlerësimit të testeve do të propozojnë anulim të mundshëm. Gjithashtu do të merret në konsideratë edhe grupi viber në të cilin u nda një test bosh i gjuhës amtare në fillim të provimit të shtunën e kaluar.

Për të pasur më shumë kontroll gjatë provimeve, maturantët këtë vit shkollor për herë të parë kanë hyrë në provim në hapësira të mëdha – salla shkollash apo sportive.

Maturantët që nuk do të kalojnë maturën shtetërore në sesionin e qershorit do të mund të regjistrohen në sesionin e gushtit kur do të jepen dy provimet eksterne në datat 12 dhe 14 gusht 2024./SHENJA/

 

MARKETING