(VIDEO) Sot heshtje zgjedhore, nesër raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale

(VIDEO) Sot heshtje zgjedhore, nesër raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale

Zgjedhjet që po zhvillohen këtë vit, mbartin edhe karakteristika të veçanta, jo të praktikuara më herët në vendin tonë. Përveç faktit se zgjedhjet do të jenë të dyfishta, gjegjësisht rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të zhvillohet në të njejtën ditë me ato parlamentare, gjatë kësaj heshtje parazgjedhore presidenciale, nuk ka heshtje edhe për fushatën parlamentare. Poashtu zgjedhjet nuk zhvillohen si zakonisht të dielave, por të mërkurën, edhe pse paraprakisht është caktuar që do të jetë ditë jo pune. Mirëpo, të mërkurën, si ditë jo pune është votuar edhe njëherë, gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2020-tës.

Vendvotimet hapen në orën 07:00 dhe mbyllja e tyre do të bëhet në orën 19:00. Në të njejtën orë edhe përfundon heshtja zgjedhore e zgjedhjeve presidenciale. Do të votohet në gjithsej 3 480 vendvotime, mbarë vendit.

Këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale dhe zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare.

Sipas dispozitave ligjore, në rundin e parë, president mund të zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave nga numri i përgjithshëm i trupit votues, që arrin 1.8 milion zgjedhës. Në rundin e dytë, më 24 prill, kalojnë dy kandidatët me më shumë vota, ndërsa zgjidhet ai që arrin të sigurojë mbi gjysmën e votave të atyre që kanë dalë në votime, me kusht që pjesëmarrja të jetë 40 për qind e trupit votues.

Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka kompetenca të kufizuara. Ai është komandant i përgjithshëm i Armatës, dekreton mandatarin për formimin e qeverisë dhe të ambasadorëve jashtë vendit, bën disa emërime në organet gjyqësore dhe në organet e sigurisë, por ata duhet të miratohen edhe në Kuvend. Presidenti ka mandat pesëvjeçare dhe mund të zgjidhet më së shumti dy herë.

Emine Ismaili /SHENJA/

 

MARKETING