(VIDEO) Sindikata e Pavarur Akademike: Ligjet e propozuara për arsimin e lartë rrezikojnë autonominë
MARKETING
Sindikata e Pavarur Akademike ngre alarmin për paketën e re të ligjeve në arsimin e lartë. Nga kjo sindikatë shprehen seriozisht të shqetësuar për ndryshimet që po përgatiten nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, duke theksuar se një pjesë e madhe e vërejtjeve të tyre janë injoruar dhe se zgjidhjet kryesore kanë mbetur të pandryshuara.
MARKETING
SINDIKATA E PAVARUR AKADEMIKE
”Propozimet ligjore rrezikojnë autonominë universitare, pasi parashohin transferimin e kompetencave nga organet e pavarura drejt Ministrisë së Arsimit. Një centralizim i tillë mund të hapë rrugë për ndikim politik në menaxhimin, financimin dhe politikat kadrovike të institucioneve të arsimit të lartë”.
Një tjetër shqetësim lidhet me kushtet e reja për avancim në tituj akademikë, të cilat, sipas tyre, nuk i marrin parasysh dallimet mes fushave shkencore. Sindikata thekson gjithashtu mungesën e një strategjie të qartë për financimin e shkencës, duke nënvizuar se projektligji nuk garanton financim të qëndrueshëm,në një kohë kur vendi tashmë renditet ndër më të ultët në Evropë për investime në këtë fushë.
Kritika ka edhe për krijimin e Agjencisë së re për sigurimin e cilësisë, ku Ministria e arsimit do të kishte rol të drejtpërdrejtë.
SINDIKATA E PAVARUR AKADEMIKE
“Një strukturë e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane për pavarësi dhe mund të vërë në pikëpyetje objektivitetin e vlerësimit të cilësisë”.
Ndër çështjet më problematike përmenden edhe mundësia e ndërhyrjes në statusin e universiteteve pa pëlqimin e tyre, kontrolli mbi shpërndarjen e fondeve dhe ndikimi në punësime. Si zgjidhje, Sindikata e Pavarur Akademike propozon krijimin e një Fondi të pavarur për shkencën, i cili do të siguronte financim transparent dhe të qëndrueshëm, si dhe më shumë fleksibilitet në kriteret për avancim akademik. Nga sindikata bëjnë thirrje për vazhdimin e debatit publik dhe hapjen e një dialogu të mirëfilltë me komunitetin akademik. Në të kundërtën, paralajmërohet për rënie të cilësisë në arsimin e lartë, kufizim të lirisë akademike dhe rritje të ndikimit politik në universitete.
/SHENJA/

