(VIDEO) Siguria në komunikacion mbetet sfidë për qytetarët
“Siguria në trafik vazhdon të mbetet shqetësuese, ndërsa numri i aksidenteve po rritet. Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër shkaqet kryesore të këtyre rasteve”.
Ditëve të fundit janë rritur aksidentet në trafik. Vetëm sot, kamera e TV Shenja ka kapur dy raste, ku dy motoçiklistë janë aksidentuar në rrugët e Çairit në orët e paraditës. Në vendngjarje kanë qenë të pranishëm disa qytetarë, të cilët pas kamerës thanë se, aksidenti i parë, ka ndodhur si pasojë e rrëshqitjes së motorit ku motoçiklisti me intervenimin e ndihmës së shpejtë është dërguar në spitalin e qytetit. Ndërkoh për aksidentin e dytë nuk ka informacione të plota se si ka ndodhur ngjarja, por sipas të dhënave paraprake drejtuesi i motorit është marrë nga ekipet e ndihmës së shpejtë.
Ndërkaq, qytetarët shprehen se kohëve të fundit është vërejtur një rritje e numrit të aksidenteve në komunikacion.
QYTETAR
“Vozitet me shpejtësi, nuk respektohen këmbësorët dhe shpesh krijohen probleme kur njerëzit kalojnë rrugën. Duhet që policia e trafikut të jetë më aktive dhe të bëhen përpjekje më të mëdha për t’i zvogëluar këto problem”.
QYTETAR
“Shkaqet janë telefonat celularë, alkooli dhe kjo ndodh më shumë te të rinjtë. Mendoj se nëse njerëzit respektojnë rregullat, nuk është e nevojshme që gjithmonë të fajësohen shoferët. Mjafton që të ketë siguri dhe rregulla të qarta. Nuk ka nevojë për më shumë masa, sepse shteti tashmë ka vendosur siguri dhe kamera në shumë rrugë, por duhet të ketë edhe më shumë kontroll”.
QYTETAR
“Së pari, mungon sinjalizimi i rregulluar i trafikut dhe pjesëmarrësit në komunikacion nuk i respektojnë gjithmonë ligjet. Jo gjithmonë është kështu. Duhet të ketë më shumë gjoba, sepse vetëm përmes ndëshkimeve mund të rregullohet kjo situatë. Pa gjoba nuk mund të përparojë as shteti në përgjithësi, jo vetëm në fushën e trafikut”.
Aksidentet në komunikacion vazhdojnë të shkaktojnë pasoja të rënda tek qytetarët, ku vetëm ditëve të fundit, një 41-vjeçare nga Manastiri ka pësuar lëndime të rënda trupore pasi humbi kontrollin mbi një automjet me katër rrota, dhe u përmbys në rrugën rajonale Manastir – Pelister, një 38-vjeçar nga Shkupi, i cili po drejtonte një biçikletë, është lënduar në një përplasje me një furgon në rajonin e Shkupit dhe një 29-vjeçar që drejtonte një motoçikletë të vogël ka pësuar lëndime të rënda në një aksident trafiku që ka ndodhur në Shkup.
Zebushe Ramadani /SHENJA/

